Hapja e shkollë së parë shqipe, Historiani: Sulltanin e bindi Sami Frashëri

7 Marsi është një ditë e veçantë për arsimin shqiptar, pasi simbolizon hapjen e shkollës së parë shqipe më 1887 në Korçë.
Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e kombit, duke i hapur rrugën përhapjes së gjuhës shqipe dhe forcimit të identitetit kombëtar.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, historiani Melsi Labi tregoi për historikun dhe rëndësinë e kësaj date.
“Ka një përmbledhje faktesh që vijnë që nga Lidhja e Prizrenit, me rilindësit dhe patriotët shqiptarë, rreth 41 bejlerë të kohës. Midis tyre, një nga më kryesorët ishte Abdyl Frashëri, i cili ishte edhe zyrtar i lartë në administratën e Perandorisë Osmane. Pas kërkesës së tij, sulltani miratoi mëvetësinë e katër vilajeteve të kohës nën suazën apo mbrojtjen e Perandorisë Osmane. Kjo i dha shtysë të gjithë rilindësve, ndër më kryesorët edhe gjeniut të letrave turke dhe shqiptare, Sami Frashëri, apo Shemsedin Sami, siç e njohin turqit.
Si një nga shkrimtarët, zyrtarët më të lartë në pjesën e përfaqësimit kulturor dhe të integrimit të kulturës osmane me atë europiane, ai kontribuoi si në pjesën e ngritjes kulturore të popullit turk, edhe atij shqiptar. Ai ia doli që të marrë nga zyra e sulltanit, fermanin për hapjen e shkollës së parë shqipe. Për këtë u ngarkua Pandeli Sotiri dhe u dërgua në Korçë, ku më më 7 mars 1887 u hap edhe shkolla e parë shqipe. Pandeli Sotiri qëndroi rreth 1 vit drejtor i saj. Mbas shkollës së parë shqipe, më 15 tetor 1891, Gjerasim dhe Sevasti Qirjazi hapën shkollën apo mësonjëtoren e parë të vajzave, baza e së cilës ishte përsëri gjuha shqipe,” tregoi historiani.
Hapja e shkollës e parë shqipe hasi në sfida të shumta.
“Kultura, arsimi, ka gjithmonë goditjen parësore për sa i përket ngritjes intelektuale dhe vetëdijes të të gjithëve, të popullit shqiptar. Në kontekstin e kohës kishim jashtë mase represion për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. Ishte e ndaluar në disa institucione: në kisha, në xhami e rajone të veçanta, megjithëse ishin lëshuar fermanët nga padishahu apo sulltani i kohës.
Në kontekstin gjeopolitik të kohës duhej të përballeshin me një dialog pragmatist për interesa shqiptare me sulltanin Abdyl Hamitin dhe vetë drejtuesin e Perandorisë. Përveçse bagazhit duhet të kishe një guxim shumë të madh, pasi e dimë që rreptësisht në ato kohëra gjuha dhe identiteti shqiptar ishin të ndaluara jo vetëm nga Perandoria, por edhe Kisha,” theksoi profesori.
Mësonjëtorja e parë ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e arsimit deri në ditët e sotme dhe disa figura kanë spikatur në këtë rrugëtim.
“Kemi Naum Veqilharxhin, babain e abetares së sotme, Pandeli Sotirin, vëllezërit Frashëri, Vaso Pashën, rilindësit e tjerë, që nga Asdreni, Çajupi dhe deri te luftëtarët e pavarësisë të viteve 1912, që e ndihmuan edhe me pushkë, edhe me penë, zgjimin e vetëdijes kombëtare, e cila më pas do të çonte në pavarësinë kombëtare,” tha Dr. Labi.
#Hapja #shkollë #së #parë #shqipe #Historiani #Sulltanin #bindi #Sami #Frashëri
gazetablic.com