Shëndeti

Putin reagon pas samitit të NATO-s: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e grurit

Reagimi i parë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin pas samitit të udhëheqësve të NATO-s. Putini tha se Rusia është e vendosur të tërhiqet nga marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi nëse nuk plotësohen kërkesat e saj.

Putini, në komentet për televizionin shtetëror rus, tha gjithashtu se Kombet e Bashkuara nuk kishin arritur deri më tani me një zgjidhje të kënaqshme për këtë çështje dhe ai mohoi të kishte marrë ndonjë letër që përmbante propozime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Një zëdhënës i Kremlinit më vonë sqaroi se Rusia nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Kreu rus foli edhe për furnizimin e Ukrainës me armatim perëndimor për të cilin tha se nuk do të ndryshojë gjë në fushëbetejë, por vetëm do ta përshkallëzojnë më tej konfliktin. Ai shtoi se tanket e prodhimit të huaj janë një “prej objektivave kryesorë” për ushtrinë e Moskës.

Putini i bëri komentet për televizionin shtetëror pas samitit të NATO-s në të cilin Ukraina mori premtimin për anëtarësim në të ardhmen. Ai gjithashtu ritheksoi qëndrimin se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të kërcënojë sigurinë e vetë Rusisë dhe do të përshkallëzojë më tej tensionet globale.

 “Kjo nuk do ta rrisë sigurinë e vetë Ukrainës. Dhe, në përgjithësi, do ta bëjë botën shumë më të cenueshme. Çdo vend ka të drejtë ta përmirësojë sigurinë e tij. Por jo në kurriz të një vendi tjetër”.

I pyetur për vendimin e Francës për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë të cilat mund të fluturojnë 250 kilometra, Putini tha se “ato shkaktojnë dëme. Por, asgjë kritike nuk ndodh në zonën e luftës përmes përdorimit të tyre”.

Një përgjigje Putini e mori nga presidenti i SHBA-së Joe Biden gjatë fjalimit të tij në Finlandë. Bideni tha se Vladimir Putini e ka humbur tashmë luftën në Ukrainë, duke dhënë shpresa se kundërofensiva e Kievit do ta detyrojë Moskën të ulet në tryezën e bisedimeve.

“Putini tashmë e ka humbur luftën. Ai ka një problem të madh tani, çdo të bëjë ku do të shkojë. Nuk ka asnjë mundësi që ai të fitojë luftën në Ukrainë. Ai nëse dëshiron mund të japë fund luftë menjëherë.”

Presidenti shtoi se Ukraina nuk mund të anëtarësohet tani në NATO pasi është një vend në luftë, por siguroi se do të anëtarësohet më vonë.

Në samitin në kryeqytetin lituanez, Vilnius, këtë javë, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord që Ukraina t’i bashkohet aleancës ushtarake në të ardhmen, por nuk i dhanë Kievit një ftesë të menjëhershme.

Vendet e G7-ës zbuluan gjithashtu një kornizë ndërkombëtare për sigurinë afatgjatë të Ukrainës për të rritur mbrojtjen e saj kundër Rusisë dhe për ta penguar Moskën nga agresioni i ardhshëm.

/a.r

#Putin #reagon #pas #samitit #të #NATOs #të #tërhiqemi #nga #marrëveshja #grurit

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button