Opozitë qesharake –

Nga Artur Ajazi
Ditët e fundit, ka nisur “mjaltimi” i opozitës me Altin Dumanin. Ka ndodhur dhe ndryshimi qesharak i liderit të opozitës, me qëndrime të dyzuara ndaj tij dhe prokurorëve të SPAK-ut. Lideri “suprem”, nuk po thotë më, “SKAP-u, bandë kriminale, prokurorë të lidhur me krimin dhe bandat, me Edi Ramën”etj , pasi ata tani janë “njerëzit e drejtësisë, janë të pavarur, dhe po bëjnë detyrën”.
Opozitë më qesharake dhe më e pabesueshme, nuk ka patur ndonjëherë Shqipëria. Zaten, me këtë opozitë, Edi Rama do të qeverisë edhe nja 12 vjet të tjera. Më turp nuk ka, se të lëpish, atë që ke pështyrë. Të marrësh në mbrojtje, një prokuror që nuk ka asnjë meritë, dhe nuk ka përmbushur asnjë kriter profesional për të ardhur në SPAK, dhe të përpiqesh të mbrosh edhe ndonjë gjyqtar që shkel procedurat dhe toleron shkeljet ligjore në sallën e gjyqit, kjo natyrisht është sharlatanizëm politik. Po ç’rëndësi ka, edhe sikur Saliu dhe shpura e tij e paditur, marrin në mbrojtje apo dhe godasin SPAK-un.
Ata sot janë e djeshmja, errësira, e kaluara e keqe e shqiptareve, ata sot janë ligësia e çdo mirësie që përjetojnë shqiptaret. Që opozita është bërë tollovingë, dhe shumë qesharake, kjo nuk ka asnjë diskutim, por që një prokuror i SPAK-ut, të bjerë në batakun e Saliut, dhe kjo nuk përtypet. Opozita e sotme e përfaqësuar mjerisht nga PD-ja, po humbet shansin e rikuperimit të saj, po humbet shansin e demokratizimit të saj, ndaj dhe do të humbasë më thellë se në 2013 edhe në 11 maj.
Loja e Berishës, duke marrë në mbrojtje SPAK-un dhe ndonjë prokuror të veçantë të tij, mbetet sa e rrezikshme për atë institucion, aq dhe qesharake për shqiptarët. Deri dje, lideri “suprem” i shante me libër shtëpie prokurorët e SPAK-ut, ç’nuk u thoshte atyre, familjareve dhe farefisit të tyre, kurse sot i mbron ata nga Edi Rama.
Sa gallatë dhe zbavitëse është të dëgjosh, se si Sali Berisha mbron Olsi Dadon (kur para 1 muaji e sikterrisi) dhe paralajmeron kryeministrin se “po sulmon drejtësinë e re”. Sa e turpshme duket skena e sejmenëve të PD-së, tek dalin mes bulevardit dhe sallave të selisë tyre, duke lëvduar prokurorët e SPAK-ut, kur deri dje i kërcënonin ata, deri në burgosje “kur të vijë në pushtet opozita”.
Kjo pra është opozita trumpiste në Shqipëri. Kjo është opozita, që ulurin nga mëngjesi deri në darkë, se “fitorja e Tump është fitorja e Berishës”, kur fushata e saj ka nisur me goditjen e çdo institucioni ligjzbatues, të ngritur nga reformat e zbatuara nën vëzhgimin e plotë të SHBA dhe BE. Berisha realisht po bën fushatën më denigruese ndaj Partisë Demokratike.
Synimi i tij, mbetet i qartë, “sa më gjatë në opozitë PD-ja, aq më gjatë unë si kryetar partie”. Humbja e 11 Majit, do ti sjellë PD-së, shansin e madh të rikuperimit total të asaj force politike, në të kundërt ringritja e saj mbetet mision i pamundur.
#Opozitë #qesharake
Java News