Aksidentet rrugore, ekspertët tregojnë akset problematike dhe “njollat” e Tiranës –

Shpejtësia tej normave, mosnjohja e rrugës, mosrespektimi i tabelave dhe përdorimi i celularëve janë bërë shkak për shumë aksidente në dy muajt e parë të vitit, një pjesë e të cilave me fatalitete.
Kjo temë aktuale u diskutua të martën në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1 me ekspertin e sigurisë rrugore, Islam Qibini dhe shefi i qarkullimit rrugor në Tiranë, Jetnor Shira.
Sipas z. Qibini, shtimi i mjeteve në rrugë dhe neglizhenca ndaj rregullave të qarkullimit, si nga qytetarët, edhe nga drejtuesit e mjeteve, e kanë rënduar situatën.
“Në vendin tonë kemi një shtim të dukshëm të lëvizjes së mjeteve, rreth 850 mijë mjete që qarkullojnë në gjithë territorin.
Kohët e fundit janë shtuar edhe monopatinat, motorët e vegjël elektrikë, të cilët kanë problematikën e tyre. Ne nuk kemi një kuadër ligjor për monopatinat. Të gjithë duhet të kenë një certifikatë njohjeje, regjistrimi të këtyre mjeteve. Në Kodin Rrugor nuk kemi dispozita as si duhet të qarkullojnë fëmijët,” u shpreh eksperti i sigurisë rrugore.
Sipas z. Qibini, ka disa akse që veçohen për shkak të vështirësive teknike dhe problematikave të ndryshme në qarkullim.
“Një nga akset kryesore më problematike është aksi nga Librazhdi në drejtim të Prrenjasit, ku kemi kthesa të shumta dhe parametrat teknikë të rrugës nuk lejojnë parakalimet. Kemi kthesa të padukshme dhe për shkak të ndryshimeve atmosferike, shirave, borës e ngricave, mund të ndodhin aksidente, pasi zhvlerësohen. Ka pasur raste të shkëputura sidomos në Qafë-Thanë–Pogradec, ku është vënë re edhe hedhja e vajrave lubrifikantë në territore të caktuara,” tha z. Qibini.
Shefi i qarkullimit rrugor për Tiranën zbuloi disa nga shkaqet kryesore për aksidentet që ndodhin në kryeqytet.
“Për sa i përket pjesës urbane, ku edhe pjesa e trafikut është më e ngjeshur dhe shpejtësia më e reduktuar, ajo që hasim shpesh janë drejtuesit e monopatinave ose motorëve elektrikë, si dhe mosrespektimi i vijave të bardha nga këmbësorët.
Masa administrative për shkeljet e këmbësorëve shkon deri në 1 mijë lekë. Për disa akse rrugore është arritur që të ketë sensibilizim. Aksi rrugor nga Sanatoriumi ose rrethi i Ekonomikut ose Arben Broci, ka tre-katër raste me pasoja në jetë nga kalimi i karrexhatës.
Dita e hënë dhe e premte ndryshojnë, siç ndryshojnë ditët me reshje nga ato normale. Hapja e Unazës Veriore, pjesa e Paskuqanit dhe Freskut, ka ndikuar në lirimin e trafikut. Qyteti ka më lirshmëri. Pjesë me problem mbetet zona e Pallatit me Shigjeta, diga e Liqenit dhe Rruga e Kosovarëve, Don Bosko,” tregoi z. Shira.
#Aksidentet #rrugore #ekspertët #tregojnë #akset #problematike #dhe #njollat #Tiranës
Java News