Aktualitet

Janë 250 milionë euro për të gjithë ata që duan të… –

Një prej investimeve të rëndësishme infrastrukturore për mbrojtjen e tokave bujqësore, është edhe rehabilitimi i argjinaturës së majtë të lumit Seman, në bashkinë e Fierit, i përfunduar brenda 4 muajve të fundit të vitit të shkuar.

Investimi konsiston në rehabilitimin e rreth 8 km argjinaturë gjatësore, duke garantuar një mbrojtje të qëndrueshme të rreth 5 mijë hektarëve toka bujqësore dhe zona të banuara nga përmbytja e lumit Seman, si dhe mbrotjen e stacionit të pompimit të gazsjellësit të TAP-it. Me kalimin e kohës, kjo strukturë përshtatet edhe me natyrën përreth.

Kryeministri Rama ishte në Fier, ku së bashku me Zv/kryeministren e Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, panë nga afër investimin në terren.

“Këtu jemi në lumin Seman. Argjinatura e majtë e lumit Seman ka një përmirësim të dukshëm në 8 km, si rezultat i një emergjence, e cila përgjatë 4 muajve të fundit të vitit të shkuar me mbështetje buxhetore nga Ministria e Bujqësisë bëri të mundur që të kursehen nga përmbytjet 5000 ha tokë të njësisë administrative Topojë, por njëkohësisht dhe stacioni i pompimit të gazsjellësit të TAP. Ishte një situatë emergjente dhe falë dhe punës së të gjithë punonjësve të bordit të kullimit, por dhe të kompanisë, arritëm ta realizojmë në 4 muaj.

Është një argjinaturë gati 44 km, ndërhyrjet bëhen herë pas herë në varësi të vështirësive që paraqitjen për rehabilitimin e një pune që ka filluar në fakt prej vitesh.

Në qarkun e Fierit janë rreth 30 km argjinaturë që janë mbështetur në 5 vitet e fundit me fonde buxhetore dhe me rehabilitim. Investimet në qarkun e Fierit janë të padiskutueshme të gjithë zonës bujqësore që përfaqëson ky qark. Janë aktualisht 14 kantiere, 8 janë të ndjekura nga ministria dhe 6 janë nga pushteti vendor, në një fond që përgjatë 2-3 viteve të ardhshme me 6 milionë euro do ndihmojë një sipërfaqe të ujitshme për gati 20 mijë ha tokë bujqësore, por njëkohësisht kemi investime edhe në hidroivor se kjo zonë ka hidrovor të rëndësishëm.

Kemi përfunduar punimet në hidrovorin e Karavastasë dhe të Divjakës. Dhe kemi një investim të rëndësishëm përgjatë 3 vitet e ardhshme dhe në sistemet e reja të ujitjes.” – detajoi Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit teksa theksoi se “Mbështetja për sistemin e ujitje-kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet në 10 vitet e fundit është shtuar me gati 4 herë në krahasim me 2013. Vijmë nga investime prej 4.5 milionë euro në vit, në gati 20 milionë euro në vit, vetëm për infrastrukturën e sistemit të ujitje-kullimit, çka e bën shumë të dukshme mbështetjen për të ruajtur sipërfaqen e tokës që është baza pastaj për të zhvilluar ekonominë bujqësore.” – u shpreh ajo.

Ndërsa Zv/Kryeministrja Balluku theksoi se në këtë zonë janë ndërthurur dy sektorë të rëndësishëm bujqësia dhe energjia, duke qenë se një pjesë më e madhe e tokave në zonën e Semanit janë kthyer tashmë në parqe fotovoltaike.

“Nga ana tjetër, e gjithë zona e Topojës, Libofshës dhe gjithë zona që përfshihet ka prodhimtari shumë të lartë. Toka pjellore ka prodhimtari të lartë dhe ashtu siç e kemi koordinuar me Bashkinë e Fierit, por edhe me Këshillin Kombëtar të territorit në ditët në vazhdim, ne do jemi të gatshëm për të zbatuar dhe Planin Rregullues përsa i përket bregdetit nga grykëderdhja e Semanit, deri në grykëderdhjen e Vjosës. Do jetë hera e parë që do kemi mundësi të dizajnojmë një vijë bregdetare për arsye turistike nga fillimi në fund.” – u shpreh zv/Kryeministrja Balluku.

Duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme të bërë në rehabilitimin e argjinaturave, Kryeministri Rama kërkoi që të punohet me këmbëngulje në drejtim të informimit lidhur me linjën e re të financimit prej 250 milionë eurosh të Bankës së Shqipërisë për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi.

“Ajo që duhet bërë tani dhe duhet përsëritur në mënyrë këmbëngulëse është informimi për linjën e re të financimit të Bankës së Shqipërisë. Janë 250 milionë euro të mbështetura me garancinë sovrane që ne po e përgatisim, një instrument shumë i favorshëm dhe me interesa shumë të ulëta për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi, në zhvillimin rural, në agroturizëm.

Kështu që, mund të interesohen pranë bankave të nivelit të dytë. Ndërkohë AZHBR duhet të bëjë punën e vet për ta koordinuar gjithë këtë proces se duhet shumë informacion. Nga ana tjetër, rehabilitimi i argjinaturave, ujitjes dhe kullimit, është një proces që vërtetë ka marrë kohën e vet, por po shkon drejtë kurorëzimit dhe shumë njerëz që s’kanë idenë fare thonë “akoma merreni ju me ujësjellësa? Akoma merreni ju me kanale e ujitje, këto gjëra bota i ka zgjidhur”. E dimë që i ka zgjidhur bota, por kur ne kemi filluar këtë punë ishin më shumë se gjysma e kanaleve e bllokuar dhe më shumë se gjysma e tokës së punueshme ishte e braktisur për shkak se s’kishte ujë. Rikuperimi që ne kemi bërë është i jashtëzakonshëm dhe në një kohë relativisht të shkurtër, ne me buxhetet modeste që kemi pasur, tani buxheti ka filluar të bëhet më domethënës për shkak se është rritur ekonomia, janë rritur të ardhurat, por nga ana tjetër çdo punë do kohën e vet.” – u shpreh Kryeministri Rama teksa inkurajoi emigrantët që kanë punuar në bujqësi që të sjellin në vendin e tyre, eksperiencën në këtë fushë.

“E fundit që dua të shfrytëzoj rastin tani është që pa diskutim që kush kthehet dhe sjell dhe eksperiencën që ka në Greqi në Itali apo gjetkë, po sidomos në këto dy vende me bujqësinë, duke e hedhur në tokën e vet, qoftë për prodhim, qoftë për përpunim, qoftë për ambalazhim, qoftë për agroturizëm, 100% i del më mirë llogaria sesa të vazhdojë të rrijë atje. Dhe jam bindur i që kjo tendencë do fuqizohet vit pas viti.” – u shpreh ai.

#Janë #milionë #euro #për #të #gjithë #ata #që #duan #të
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button