SPAK regjistroi procedimin jashtë afatit, iu deshën 7 muaj pas kallëzimit anonim! –

Redaksia e Shqiptarja.com zbardh të tjera argumente, përmes së cilave mbrojtja e Kryebashkiakut Erion Veliaj kërkon heqjen e masës arrest me burg, të lënë në fuqi nga gjyqtari Erion Bani në seancën e 12 shkurtit. Një ndër argumentet kryesore të mbrojtjes së Veliajt është fakti që SPAK ka shkelur hapur afatet për regjistrimin e procedimit penal ndaj kryebashkiakut pas mbërritjes së kallëzimit nga personi anonim ‘Nesti Angoni.
Në ankimin dërguar në Apelin e GJKKO, mbrojtja thekson se kallëzimi ka mbërritur në SPAK në korrik 2023, por Prokurorisë së Posaçme i janë dashur 7 muaj kohë për verifikimin e këtij kallëzimi prej vetëm një faqeje, ndërkohë që sipas ligjit, brenda 15 ditëve, prokurori duhet të kishte konstatuar ekzistencën e rrethanave që nuk lejojnë fillimin e një procedimi penal, apo në të kundërt, të kishte regjistruar procedim penal.
Për mbrojtjen e kryebashkiakut tejkalimi i këtyre afateve ligjore flet qartazi për njëanshmëri në hetim, për të prodhuar medoemos një procedim pa patur fakt penal, por edhe kur fakti i pretenduar është orientuar drejt një personi konkret, nuk ka asnjë të dhënë minimale për të urdhëruar shënimin e emrit të tij në regjistrin për njoftimin e veprave penale.
Mes të tjerash në apelimin e dërguar Apelit përmendet ‘’se vet Gjykata e Posaçme ka relatuar historikun e kallëzimit dhe verifikimeve që kanë shërbyer si bazë për fillimin e procedimit penal, ku pranohet fakti që në Korrik 2023, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është protokolluar një kallëzim penal nga një shtetas anonim, i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë në regjistrin e gjendjes civile. Siç ligji procedural penal parashikon, kallëzimet anonime nuk mund të përdoren, përveç rasteve kur është dokument që përbën provë materiale apo dokument i prodhuar nga vet i pandehuri. Por nga përmbajtja e kallëzimit anonim, qartazi nuk plotësohen këto kërkesa ligjore.
Në datën 8 Shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme ka administruar informacionin për referimin e veprës penale nga BKH-ja dhe po atë ditë, mqs ka konstatuar ekzistencën e elementeve që lidhen me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal Nr.27 të vitit 2024, por pa autor konkret. Ky referim policor ka patur synim verifikimin e rrethanave që paraqiste kallëzuesi anonim në Korrik 2023, pa cituar asnjë të dhënë që krijon dyshim për akt korruptiv, aq më pak për vepra të tjera si pastrimi i produkteve të veprës penale etj.
‘Plot 7 muaj i janë dashur Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së për verifikimin e një kallëzimi të nënshkruar nga shtetasi anonim Nesti Angoni, gjithsej 1 fletë, ndërkohë që brenda 15 ditëve prokurori duhet të kishte konstatuar ekzistencën e rrethanave që nuk lejojnë fillimin e një procedimi penal, apo në të kundërt, të kishte regjistruar procedim penal.
‘’Ndaj vlerësojmë se çdo të dhënë shkresore që ka prodhuar verifikimi i kryer përtej këtij afati ligjor procedural, nuk mund të shërbejë si element i vlefshëm (burim prove apo indicie) që mund t’i bashkalidhet një kallëzimi anonim apo të përbëjë bazë të mjaftueshme të dhënash për të urdhëruar regjistrimin e një procedimi penal. Tejkalimi i këtyre afateve ligjore flet qartazi për njëanshmëri në hetim, për të prodhuar medoemos një procedim pa patur fakt penal, por edhe kur fakti i pretenduar është orientuar drejt një personi konkret, nuk ka asnjë të dhënë minimale për të urdhëruar shënimin e emrit të tij në regjistrin për njoftimin e veprave penale.
Po ashtu, mbrojtja e Veliajt ndalet edhe tek historia e vilës në Qerret, për të cilën SPAK akuzon kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa se janë pronarët faktikë të kësaj pasurie. Mbrojta thotë se po i jepet vlerë e paracaktuar pretendimeve të kallëzuesit anonim për këtë pasuri, ndërkohë që deklarimet e personave të pyetur të cilët thonë se vila është e mamasë së Xoxës nuk merren fare në konsideratë.
Mbrojtja argumenton se frekuentimi i kësaj vile nga Xoxa, Veliaj dhe i biri i tyre është më se normale dhe se disa pagesa mujore modeste të kryera prej tyre për mirëmbajtjen e saj nuk mund të paraqiten si prova që ata janë pronarët faktikë.
Sipas mbrojtjes, Veliaj dhe Xoxa nuk kanë asnjë detyrim që ta deklarojnë këtë pasuri ILDKPI, përsa kohë që kjo vilë nuk është e tyre por i përket Valbona Xoxës, e cila vetë nuk është subjekt deklarues dhe nuk disponon një kontratë finale që përbën titull pronësie për këtë pronë.
‘’Qasje e gabuar e organit procedues konkretizohet edhe në interpretimin që i bëhet zotërimit faktik nga z. Veliaj e znj. Xoxa të një vile të ndodhur në Marea Resort, Qerret, Kavajë. Edhe për këtë fakt penal të pretenduar citohen rrjedhat nga kallëzimi anonim, duke i dhënë vlerë të paracaktuar fakteve që kallëzuesi anonim paraqet për Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që situata reale lidhur me këtë send të paluajtshëm, e sqaruar nga deklarimet e gjithë të pyeturve se kjo është pasuri e mamasë së znj. Xoxa, për asnjë moment nuk merret në konsideratë.
‘’Sigurisht që përgjatë hetimeve do të sqarojmë me detaje posedimin faktik të znj. Valbona Xoxe mbi këtë pasuri prej vitit 2017 e në vijim, frekuentimin mëse normal të kësaj vile nga e bija znj. Xoxa dhe nipi apo dhëndri i saj. Por nuk mund të serviren si prova që vërtetojnë posedim faktik të vilës nga z. Veliaj e znj. Xoxa disa pagesa mujore modeste të kryera prej tyre për mirëmbajtjen e saj, nuk mund të serviren si prova thëniet e dëshmitarëve që nuk mund të dëshmojë për çka flitet në publik dhe as të shprehë vlerësime personale , nuk mund të përbëjë provë fakti që ish-shoferi i të ndjerit z. Arben Xoxa nuk ka dëgjuar ndonjëherë për këtë vilë.
‘’Organi procedues nuk mund të ndërhyjë në lirinë kontraktore të palëve, nuk mund të vlerësojë formën e kryerjes së akteve mes tyre nëse duhet të jenë noteriale apo jo, nuk mund të sjellë si argument detyrimin e z. Veliaj apo znj. Xoxa për deklarimin e kësaj vile si pasuri në zotërim, përsa kohë që kjo pasuri i përket znj. Valbona Xoxa, e cila nuk është subjekt deklarimi në ILDKPI dhe nuk disponon një kontratë finale që përbën titull pronësie për këtë prone. Edhe shprehjet e përdorura në vendim, të prodhuara nga komunikimet telefonike mes palëve të tilla si “…shtëpia jonë…” apo “…veshje nga të cilat duket se…” nuk mund të shërbejnë për formimin e dyshimit të arsyeshëm mbi këtë fakt të pretenduar.
Mbrojtja sqaron edhe pozicionin e kësaj vile në raport me ndërtuesin Gentian Sula, që sipas SPAK, Veliaj e ka përfituar këtë pasuri në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike që i ka dhënë këtij biznesmeni. Mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë, veçse këtë lidhje e quan një produkt të fantazisë së hetuesve të BKH-së.
Në argumentet e mbrojtjes theksohet se “Fakti që vlera prej 30.000 Euro që duhet t’i paguhej shoqërisë Agi Kons nga viti 2017 e deri më sot ende nuk është paguar, lidhet me pretendimet që ka znj. Valbona Xoxa mbi cilësinë e punimeve.”
‘’Thellësisht i pabazuar e pa asnjë sens juridik duket argumenti se kjo vilë është pasuri e fshehur dhe e padeklaruar, pasi është rezultat i përfitimit të parregullt që z. Gentian Sula, në cilësinë e zotëruesit të shoqërisë Agi Kons shpk i ka dhënë z. Veliaj për shkak të detyrës së tij, pasi siç argumenton akuza, prej vitit 2016 e në vijim kjo shoqëri tregtare ka përfituar procedura prokurimi dhe koncesioni në vlera të konsiderueshme nga Bashkia Tiranë, madje disa procedura prokurimi përftohen pothuajse aq sa ka qenë vlera e fondit limit, duke skualifikuar operatorët konkurrues në garë, përveç Agi Kons shpk.
‘’Ajo që mbrojtja çmon të theksojë për Gjykatën e Apelit është pikërisht ky standart provueshmërie i një fakt penal të pretenduar, që nuk mund të jetë i mjaftueshëm për caktimin e masave të sigurimit. Nuk mundet që të merret i mirëqënë një fakt i tillë i supozuar, pa asnjë bazë provueshmërie për ndonjë akt korruptiv. Lidhja e vilës nga z. Veliaj si pasuri e përftuar nga një akt korruptiv me përfitimin e fondeve nga Bashkia Tiranë për shoqërinë Agi Kons përveçse është produkt i fantazisë së hetuesve të BKH-së, nuk bazohet në asnjë provë direkte apo indirekte. Fakti që vlera prej 30.000 Euro që duhet t’i paguhej shoqërisë Agi Kons nga viti 2017 e deri më sot ende nuk është paguar, lidhet me pretendimet që ka znj. Valbona Xoxa mbi cilësinë e punimeve.
Sa i takon historisë së vilës në Qerret, Shqiptarja.com ka publikuar edhe fotot e babait të Xoxës në këtë pronë, për të cilën SPAK pretendon se ai nuk ka qenë asnjëherë. Foto që përgënjeshtron, ndër të tjera, edhe dëshminë e “shoferit” të Arben Xoxës, i marrë në pyetje nga BKH, i cili tha se babanë e Ajola Xoxës nuk kishte shoqëruar asnjëherë në vilën e Qerretit./Shqiptarja.com
#SPAK #regjistroi #procedimin #jashtë #afatit #deshën #muaj #pas #kallëzimit #anonim
Java News