Video/ Shtylla shpëton BATE Borisov, vetëm barazim për Partizanin: Cara i përgjigjet Antilevskit

Partizani nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të parë të Champions League kundër BATE Borisov. Cara barazoi avantazhin e papritur të Antilevskit, në një ndeshje ku superiorë u dukën të kuqtë. Pa fat në debutimin e tij në pankinën e Partizanit për Zoran Zekic, që pa goditjen e Murataj të përplasej në shtyllë.
BATE nuk ishte e parezistueshme, por kujdesi i ishte imponuar gjithësesi Partizanit, që u fut në fushë me drojë. Pas një starti të fortë të bjellorusëve, skuadra e Zekic rriti lojën. Murataj, por edhe Mba e Mehmeti patën mundësitë e tyre për të shënuar golin e avantazhit. Ndonjë pasiguri më shumë, apo edhe nxitim plangprishës bëri që Kudravets të mos mposhtej. Nuk është se Qirko mbeti spektator, por gjithësesi pa rreziqe të mëdha. Krahu i majtë me kontributin e Antilevskit ishte diferencues për BATE.
RITËM I LARTË DHE INTENSITET
Të kuqtë u ngritën në ritëm e nivel, me Rrapaj që mori përsipër skuadrën. Por pikërisht kur nuk pritej, me bjellorusët të heshtur prej më shumë se 30 minuta në anët e Qirkos, kaluan në avantazh. Në minutën e 58 Kontsevoy goditi me kokë mbi Sembene, duke impenjuar Qirkon. Topin e rikthyer ai e shërbeu në këmbët e Antilevskit që shënoi golin e avantazhit. Reagimi i të kuqve ishte i menjëhershëm dhe Cara stabilizoi rezultatin pas 8 minutash. Në zhvilimet e një goditje këndi, Murataj me kokë e dërgoi topin në shtyllën e dytë ku Cara e shtyu në rrjetë.
DEBUTIMI I GREZDËS
Partizani mund të kishte marrë edhe më shumë, por në minutën e 75 Murataj u ndal nga shtylla. Kapiteni mori bukur një top në zonë dhe e shkarkoi të majtën në shtyllë. Do të kishte qenë goli i një fitore shpresëdhënëse për në kthimin e pas një jave. Debutimi i Grezdës nuk la asnjë gjurmë, por Zekic shpreson që ai në Hungari të jetë shumë më lart, edhe mentalish, për të ndihmuar të kuqtë në një kualifikim të rëndësishëm.
#Video #Shtylla #shpëton #BATE #Borisov #vetëm #barazim #për #Partizanin #Cara #përgjigjet #Antilevskit
Lapsi