Rezultatet aktuale pas 99.72% të votave të numëruara: Shpërndarja e deputetëve krijon paqartësi të madhe

Deri më tani në Kosovë janë numëruar 99.72% të votave të hedhura më 9 shkurt, duke mos llogaritur votat me postë, votat në përfaqësi diplomatike, si dhe votat me kusht.
Ndonëse kanë mbetur edhe rreth 100 mijë vota për t’u numëruar ditëve në vazhdim, nuk pritet që rezultati aktual të ndryshojë drastikisht.
Për momentin, me pothuajse të gjitha votat e hedhura në Kosovë të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm me 40.84% të votave.
Në vendin e dytë qëndron PDK-ja me 22.05% të votave, LDK-ja është e treta me 17.67%, ndërsa AAK-NISMA ka 7.45%.
Bazuar në këto rezultate, LVV do të ketë 47 deputetë, PDK do të ketë 25 sosh, LDK do të marrë 20 dhe AAK-NISMA me 8.
Kjo përbën një rënie prej 11 deputetësh për partinë e Albin Kurtit, e cila nuk ka mundësi ta formojë qeverinë vetë sikur në vitin 2021.
Partitë opozitare së bashku kanë 53 deputetë për momentin dhe në një koalicion të mundshëm mes tyre, do të mund të formohej qeveria e re bashkë me deputetët e minoriteteve joserbe.
Në këtë pikë, nuk duket se ka interesim nga partia në pushtet që të hyjë në koalicion më ndonjë parti opozitare, ndërsa as këto të fundit nuk kanë shfaqur interesim për t’iu bashkuar VV-së në qeveri.
#Rezultatet #aktuale #pas #të #votave #të #numëruara #Shpërndarja #deputetëve #krijon #paqartësi #të #madhe
gazetablic.com