“Nuk mjafton koha”/ Celibashi letër partive: Ndryshoni Kodin për afatet e ankimimit të emigrantëve në Gjykatë!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor për ankimimin e zgjedhësve jashtë vendit, (Diasporës), në Gjykata për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve, sepse koha që parashikohet aktualisht e pamundëson procesin dhe i heq të drejtën emigrantëve.
Kryetari Ilirjan Celibashi i është drejtuar 9 partive parlamentare në Kuvend që të marrin parasysh kërkesën, teksa ia ka dërguar edhe kryeparlamentares Elisa Spiropali ndryshimin që kërkohet, ku nga 7 ditë para zgjedhjeve si afat për ankimimin, në rastin e emigrantëve të bëhet të paktën 30 ditë para zgjedhjeve, në mënyrë që vota me postë të dërgohet dhe të kthehet.
Aktualisht Neni 25, Pika 8 e Kodit Zgjedhor parashikon se zgjedhësi ka të drejtë ankimimi deri 7 ditë para datës së votimit për ankimim në Gjykatat e Rrethit për t’u përfshirë në listat e votimit nëse nuk është. Dokumenti është siguruar nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi.
Në këtë mënyrë kjo pikë duhet ndryshuar dhe të bëhet deri në 30 ditë, teksa 48 orë i parashikon ligji për marrjen e vendimit nga Gjykata që prej momentit të dorëzimit të ankimimit nga zgjedhësi. Sipas Celibashit, koha 28 ditore e mbetur është e mjaftueshme që zarfi me postë të shkojë dhe të kthehet në kohë dhe ligji të mos shkelet.
“Nga momenti që Gjykata merr vendimin mbeten vetëm 5 ditë për t’i dërguar atij fletën e votimit dhe për kthimin në KQZ”, shkruan mes të tjerash Celibashi.
Më tej ai shpjegon se:
“Ky ndryshim do i siguronte zgjedhësit nga jashtë mundësinë reale pavarësisht distancës gjeografike dhe kohore, që të ushtrojë të drejtën për të votuar, përmes një procesi të aksesueshëm”.
#Nuk #mjafton #koha #Celibashi #letër #partive #Ndryshoni #Kodin #për #afatet #ankimimit #të #emigrantëve #në #Gjykatë
Java News