Kali dhe karroca elektorale |

Nga Eduard Zaloshnja
Në sondazhin e fundit kombëtar që zhvillova për Report TV, kuotat e Ramës rezultuan më të larta se të PS-së. Domethënë, metaforikisht, “kali” Rama e tërhiqte karrocën elektorale të PS-së. E kundërta ndodhte me Berishën – kuotat e tij ishin më të ulta se kuotat e PD-së.
Duke iu kthyer historikut të dhjetra sondazheve politike që kam zhvilluar në Shqipëri, një situatë e ngjashme është konstatuar edhe para zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit. Rama kishte kuota më të larta se PS-ja, ndërsa Basha kishte kuota më të ulta se PD-ja.
Edhe më 2017, Rama ishte një “kal” elektoral shumë më i fuqishëm se Basha; diferenca lider-parti ishte tejet e dukshme statistikisht.
Më 2013 kishim një tablo interesante. Edhe Rama, edhe Berisha kishin kuota më të larta se koalicionet respektive të tyre, por koalicioni i të parit u mbështet eventualisht nga 1 milion votuses ndërsa i të dytit nga vetëm 680 mijë votues…
Veçantia e 2009-ës ishte se kuotat e dy liderave përputheshin afërsisht me kuatat e koalicioneve, por koalicioni i Berishës arriti të merrte 70 mandate, të cilave iu shtuan më pas edhe 4 mandatet e partisë së Metës…
Më 2005 nuk kam zhvilluar ndonjë sondazh në Shqipëri, por sondazhi i GALLUP International tregoi se kuotat e Berishës ishin më të larta se të koalicionit të udhëhequr prej tij. Ndërkohë, kuotat e Nanos ishin më të vogla se të koalicionit të udhëhequr prej tij.
#Kali #dhe #karroca #elektorale
Java News