Trafik armësh Shqipëri-Angli/ Arrestohet 28-vjeçari shqiptar në Londër, vëllai i tij u arrestua në Kolumbi

Pas arrestimit në Kolumbi disa ditë më parë të Almir Gjidiaj, i vëllai i tij i kërkuar nga SPAK për dosjen e trafikut të armëve drejt Anglisë është prangosur në Londër.
Hetimet e SPAK në bashkëpunim me Interpol Tiranën mundësuan arrestimin në Londër të një shqiptari të akuzuar për trafik armësh nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe.
Dokumentet e gjykatës të ekstradimeve në Londër disponuar nga Top Channel tregojnë se përpara kësaj gjykate ka dalë Alban Gjidiaj 28 vjeç.
Ai kërkohet nga SPAK nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi kriminal të cilët në bashkëpunim në 10 Prill 2023 tentuan kalimin e një sasie armësh dhe municioni drejt Britanisë së Madhe. Alban Gjidiaj është ndaluar nga policia Metropolitane e Londrës në zonën e Barnet në veri të kryeqytetit britanik.
Gjykata e pranoi kërkesën që Gjidiaj ta ndjekë procesin e ekstradimit me kusht pas dorëzimit të pasaportës dhe një garancie monetare 5.000 stërlina ofruar nga një i afërm. Ai do të rikthehet në këtë gjykatë më 26 Shkurt.
Në Gusht të vitit të shkuar përmes operacionit ‘Inkorporimi’ prokurorët e SPAK dhe Agjentët e BKH në bashkëpunim ne skuadrën operacionale arrestuan në Tiranë tre persona. U sekuestruan një sasi armësh të cilat fshiheshin nëpër mobilie e dërgoheshin me furgonë drejt Anglisë.
Arsenali i armëve të sekuestruara përbëhej prej 25 armë zjarri qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike.
Në këtë operacion në Tiranë u arrestuan Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj. Tre të tjerë u shpallën në kërkim dy prej të cilëve njëri në Kolumbi dhe tjetri në Londër tashmë të arrestuar si pjesë e kësaj dosje.
#Trafik #armësh #ShqipëriAngli #Arrestohet #28vjeçari #shqiptar #në #Londër #vëllai #tij #arrestua #në #Kolumbi
Java News