Aktualitet

Rexhep Qosja, shkrimtari spekulativ i porosive politike

Nga Baton Haxhiu

E lexova një tekst “status” që me siguri ia ka kërkuar Vetëvendosja.

Si zakonisht, në të shumtën e herëve Qosja shkruan me porosi dhe përdor fraza që humbin peshën e argumentit, duke u kthyer në një glorifikues të verbër të një pushteti ose fyes me porosi, që ka humbur lidhjen me realitetin.

Në vend që të mbajë distancën kritike që e definon një intelektual, Qosja përqafon një diskurs të mbushur me retorikë boshe dhe të zbrazët nga përmbajtja.

Teksti i tij është një shembull klasik i një narratori spekulativ, i cili ndërton rrëfime mbi thashetheme dhe interpretime të njëanshme, pa asnjë bazë faktike, pa fusnota, dhe pa ndonjë përpjekje për të analizuar realitetin.

Ai nuk shkruan si intelektual, por si një thashethemexhi letrar që shërben më shumë për propagandën sesa për ndërgjegjen e shoqërisë.

Në këtë tekst, Qosja flet për Vetëvendosjen dhe qeverinë e Albin Kurtit sikur të ishte një betejë mes së mirës absolute dhe së keqes së gjithanshme, duke glorifikuar të parën dhe diskredituar opozitën me terma të përgjithshëm si “urrejtje”, “gënjeshtra” dhe “shpifje” .

Këto janë fjalë që tingëllojnë të fuqishme, por në fakt janë të zbrazëta dhe pa lidhje me argumentin.

Një intelektual i përgjegjshëm nuk mund të përdorë këso frazash të vakëta pa i shoqëruar me shembuj dhe analiza konkrete.

Qosja nuk analizon asnjë moment të krizës që ka krijuar qeveria aktuale, nuk përmend tensionet në Veri, përplasjet me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian apo dështimet në menaxhimin e situatave kritike.

Përkundrazi, ai krijon një narrativë mitike ku çdo veprim i Kurtit është “vizionar” dhe “historik”, një qasje që i përket më shumë propagandës sesa mendimit kritik.

Ajo që bie më shumë në sy është mbështetja e Qosjes për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, një masë e cila është cilësuar si e rrezikshme dhe antikushtetuese nga Gjykata e Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Qosja, pa asnjë reflektim mbi pasojat e këtij ligji, e paraqet atë si një mjet për të luftuar korrupsionin, duke shmangur faktin se ky ligj përmbys parimet themelore të drejtësisë dhe mund të përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve.

Ligji, siç e kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë, rrezikon të kthehet në një praktikë staliniste, ku pasuritë konfiskohen në mënyrë arbitrare pa prova dhe pa proces të drejtë.

Qosja, megjithatë, nuk përpiqet të analizojë këto rreziqe, por e përdor ligjin si një tjetër pikë në narrativën e tij glorifikuese për Vetëvendosjen.

Për një intelektual, kjo nuk është vetëm një dështim, por një tradhti ndaj parimeve themelore të së drejtës dhe lirisë.

Forma e të shkruarit të Qosjes është një tjetër tregues i shterimit të tij si intelektual.

Teksti i tij nuk ka asnjë koherencë analitike dhe është i mbushur me fraza të përgjithshme që duken si të krijuara për fjalime politike.

Kjo formë, që ngjan me një bisedë joformale, nuk ekziston më në diskursin bashkëkohor intelektual, sepse është e pakuptimtë dhe e padobishme.

Shkrimi i tij nuk synon të kuptojë apo të shpjegojë realitetin, por të ndërtojë rrëfime të paramenduara për të përforcuar një narrativë politike.

Kjo nuk është letërsi kritike, as analizë politike – kjo është një përzierje mes propagandës dhe thashethemeve të padenja për një mendimtar serioz.

Në vend që të jetë një zë kritik dhe ndërgjegje e shoqërisë, Qosja është kthyer në një vegël të pushtetit, që përdor retorikë të lodhur dhe nostalgji ideologjike për të justifikuar çdo veprim të qeverisë.

Nëse dikur ai shihej si një figurë që sfidonte dogmat dhe shtypte kufijtë e mendimit, sot ai ka përqafuar dogmat e reja dhe është bërë një narrator spekulativ që nuk reflekton mbi të vërtetën, por mbi interesat e një partie politike.

Në këtë kuptim, ai nuk është më intelektual, por një thashethemexhi letrar që ka braktisur çdo standard intelektual dhe moral. Dhe kjo është tragjedia e tij më e madhe.

Rexhep Qosja, që dikur shkroi librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, sot përfaqëson më së miri atë që i ka ndodhur intelektit të tij. Ai ka vdekur nga sytë e njëanshëm dhe të mbyllur ndaj realitetit.

Prej syve që shohin vetëm atë që dëshirojnë të shohin, që refuzojnë kritikën, që glorifikojnë pushtetin dhe që mbështeten në retorikë të zbrazët dhe spekulime të paverifikueshme.

Në vend që të jetë një intelektual në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – dikush që mbron të vërtetën dhe sfidon autoritetet, si Zola apo Sartri – Qosja është bërë e kundërta e tyre: një zë që hesht kur duhet të flasë, që mbështet verbërisht një pushtet pa e analizuar as në frymë, as në përmbajtje.

Ai nuk përfaqëson intelektualin e angazhuar që i shërben shoqërisë, por intelektualin e mbyllur në rrethin e tij të vogël provincial.

Në këtë shkretëtirë kulturore që ka kapluar shumë aspekte të jetës publike në Kosovë, ai mund të gjejë një farë audience brenda mediokritetit ku peshën e tij të përkrahjes e ka vendos nga Fadil Hoxha, komunist e deri sot.

Është e vërtetë që në momente ka qenë në anën e duhur të historisë, por intelektualisht i zgjati shkurt.

Por për Evropën apo për mendimin bashkëkohor perëndimor, ai është një askushi, një figurë që nuk ka as ndikim, as peshë.

Një nga arsyet është se ai ka mbetur peng i një formimi të kufizuar, me njohuri të plota vetëm të gjuhës serbe dhe pa asnjë qasje të vërtetë ndaj botës intelektuale të përparuar.

Kjo e bën atë të paaftë për t’u pozicionuar si një intelektual i vërtetë në një kontekst më të gjerë, ku kërkohet analizë, ndërgjegje dhe distancë kritike.

Më shqetësuese është se mbështetjen e tij ndaj Albin Kurtit nuk e bën mbi bazën e ndonjë analize ideologjike apo të arsyetuar, por mbi premisa gjeografike e nostalgjike.

Ai e sheh mbështetjen ndaj një kryeministri nga Malësia e Shqiptarëve të Malit të zi, si një detyrim historik ndaj një bashkëvendësi të tij, duke injoruar plotësisht ideologjinë apo qasjen politike të Vetëvendosjes, qoftë në raport me brendinë e Kosovës, qoftë me partnerët ndërkombëtarë.

Kjo qasje është një shkarje serioze ndaj parimit më themelor të intelektualit: të mos mbajë kurrë anën e pushtetit, por të jetë gjithmonë një zë kritik ndaj tij.

Një njeri që humb aftësinë për të parë qartë, për të sfiduar dhe për të analizuar, ka vdekur në thelb si mendimtar.

Dhe sot, intelekti i Rexhep Qosjes po vdes pikërisht nga sy të tillë: sy që nuk shohin as fakte, as realitet, as përgjegjësi morale.

Thënë cinikisht, por me saktësi, ajo që ka ndodhur me Qosjen është vdekja e intelektualit prej syve të tij të njëanshëm.

Dhe ky është epilogu i një historie të shkuar, të cilën ai vetë e ka vulosur.

#Rexhep #Qosja #shkrimtari #spekulativ #porosive #politike
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button