Biznesi i preferuar i shqiptarëve! Gati 27 mijë bare dhe kafene në vend, kryesojnë Tirana e Vlora

Në qendër të qyteteve, cepat e lagjeve apo buzë rrugëve ku kalojnë njerëz e makina… në Shqipëri ka 26 mijë e 600 bar-kafene. Biznesi i preferuar i shqiptarëve është më i përhapur në Tiranë me mbi 8 mijë e 300 pika kafenesh, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Fieri dhe Elbasani. Lista pasohet nga Shkodra, Korça, Lezha, Berati, Gjirokastra, Dibra e Kukësi.
“Të gjithë e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeneve dhe restoranteve. Ka një raport të fundit ku thuhet se pas pandemisë në botë pati një tkurrje të numrit të bareve dhe kafeneve, ndërsa në Shqipëri u rritën”, tha Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë.
Shqipëria thyen rekorde edhe në drejtim të shpenzimeve në bare dhe lokale. Mesatarisht në një vit një shqiptar shpenzon 270 euro, niveli më i lartë në Rajon, Europë dhe më gjerë.
“Shqiptarët rezultojnë që e pëlqejnë të shpenzojnë kohë në kafe më shumë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, teksa në vend të tretë renditet Kosova, me 11.2% të subjekteve që e ofrojnë shërbimin ushqimor dhe të pijeve. Më pak renditen shtete që e kanë të lidhur ekonominë me aktivitetin e turizmit, si Mali i Zi (11%), Qipro (10.8%), Spanja (10.6%), Greqia (10%)”, theksoi Agolli.
Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16 për qind të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Rreth 64 për qind e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj. Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar.
(A2 Televizion)
#Biznesi #preferuar #shqiptarëve #Gati #mijë #bare #dhe #kafene #në #vend #kryesojnë #Tirana #Vlora
JavaNews