Renditja e FIFA-s, Shqipëria ngjitet në vendin e 65, Kosova në rënie

Dy fitoret në kualifikueset e Euro 2024 kanë bërë që Shqipëria të jetë në rritje në renditjen e FIFA-s. Në klasifikimin botëror për muajin qershor, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e 65-të, duke fituar tre pozicione nga pozicionimi i mëparshëm.
Suksesi me Moldavinë dhe triumfi në fushën e Ishujve Faroe, përveçse mbajtën gjallë shpresat e Kombëtares për të siguruar një biletë në eventin më të madh kontinental, bën që ekipi i Sylvinhos të lejë mbrapa Kepin e Gelbërt, Islandën dhe Maqedoninë e Veriut.
Lajmet nuk ishin po kaq të mira për Kosovën. Dardanët humbën një pozicion dhe tashmë e shohin veten të 108-ët në klasifikimin botëror të publikuar nga FIFA. Shkak u bë ecuria e dobët në grupin kualifikues të Kampionatit Europian. Fillimisht Kosova barazoi pa gola në shtëpi me Rumaninë dhe më pas u mposht në mënyrë surprizë nga Bjellorusia, me rezultatin 2-1.
Me vetëm 3 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjeve, Dardanët i kanë dhënë lamtumirën e parakohshme ëndrrave për pjesëmarrjen në aktivitetin e parë madhor në histori. Për sa i takon kreut të renditjes, aty mbetet Argjentina kampione e botës, e ndjekur nga Franca dhe Brazili që plotësojnë podiumin. Më pas pozicionohen Anglia, Belgjika, Kroacia, Holanda, Italia, Portugalia dhe Top 10 mbyllet nga Spanja.
/a.r
#Renditja #FIFAs #Shqipëria #ngjitet #në #vendin #Kosova #në #rënie