Apeli i GJKKO e la në burg, reagon Meta: Asnjë çudi dhe asnjë surprizë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta lënë në burg, duke akuzuar drejtësinë se është nën kontrollin e një “Narkoshteti” dhe se gjykatat janë thjesht vegla të këtij sistemi.
Meta e cilësoi vendimin e gjykatës si “asnjë çudi dhe asnjë surprizë”, duke theksuar se ky është një konfirmim i mëtejshëm i ndikimit të pushtetit të faktuar në sistemin gjyqësor.
“Afërmendsh u rikonfirmua sërish se gjykatat janë thjesht dhe vetëm vegla qorre nën urdhrin dhe diktatin e Narkoregjimit DumDuman,” shkruhet në profilin e Ilir Metës, në një postim në Facebook.
Meta e quajti vendimin një “veprim të mjerë të Narkoregjimit” dhe theksoi se ky nuk do të ndalë betejën e Partisë së Lirisë për të çmontuar Narkoshtetin dhe rikthyer shtetin e së drejtës. Ai theksoi se qëllimi i partisë së tij është mbrojtja e lirisë, të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, si dhe ruajtja e demokracisë dhe pluralizmit politik në vend.
“Kjo betejë do të vazhdojë për realizimin e 5 Prioriteteve tona, për të siguruar një të ardhme më të mirë për 4 milion shqiptarë plus,” përfundoi Meta në reagimin e tij.
#Apeli #GJKKO #në #burg #reagon #Meta #Asnjë #çudi #dhe #asnjë #surprizë
Java News