Aktualitet

Ngritja, shkëlqimi dhe rënia e Ilir Metës

Nga Sebi Alla

Në mbrëmjen e 11 dhjetorit të 90-tës ishte ndër radhët e studentëve që prisnin në “Pallatin e Brigadave” të takoheshin me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, “komunistin e fundit” të sistemit diktatorial, Ramiz Alia.

Pikërisht në kohën kur Shqipëria por ndryshonte fatin e historisë së saj, studenti i vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Ilir Meta, duket se ishte në vendin dhe në kohën e duhur për të ndryshuar dhe rrjedhën e historisë së jetës së tij.

Ai studenti i dhjetorit të 90-të përgjatë tranzicionit post komunist shqiptar u shndërruar në njeriun që drejtoi këtë shtet, si kryeministër, president dhe kryetar parlamenti. Me moton “i di vetë Meta punët e veta” ai u shndërrua ndër politikanët e sprovuar që bënte luftë e pakte me “djajtë tjerë” të politikës, ku ai përfitonte pushtet, ndikim dhe madje konsiderohet si personazh i cili ka rrëzuar nga pushteti ish-bashkëpunëtorët për të ndarë pushtet me ish-armiqtë.

Një betejë që ai e udhëhoqi për plot 34 vjet, për të përfunduar sot, tashmë 55-vjeç, Ilir Meta rri i vetëm në një qeli të burgut 302 në Tiranë, i akuzuar për korrupsion, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Zgjodhi të ishte kundër rrymës që në fillim të viteve 90-të. Shumica ndiqnin trendin duke iu bashkuar Partisë Demokratike të sapokrijuar, Iliri zgjodhi të ishte një nga drejtuesit e Forumit Rinor Eurosocialist. Kjo i siguroi një vend një vend në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 1992 ku përfaqësonte krahinën e Skraparit, vendin e tij të origjinës.

Por vetëm gjashtë muaj më vonë, në tetor të vitit 1992 përballet ashpër me Sali Berishën, në atë kohë President i plotfuqishëm.

Aso kohe Berisha e akuzonte Ilirin e sapodiplomuar si “organizator i një tubimi të dhunshëm”, ku dhjetëra persona mësynë në bashkinë e Poliçanit, ku dhe u tha se u mor peng administrata.

Ilir Meta mbrohej se kishte shkuar për të shuar konfliktin por kjo nuk i shpëtoi heqjen e mandatit, për tu lënë në duart e drejtësisë.

Më vonë merr pafajësinë, por i vlejti shumë ai moment Ilir Metës për të kuptuar se në situata të tilla në politikën shqiptare forca e pushtetit ishte shumë më me vlerë se edhe vetë vlera e të qenit pa faj.

I ashpër me Berishën deri në vitin 1997, kur Partia Socialiste vjen në pushtet Meta tundi një CV të pasur pasi ishte nënkryetar i PS-së 1993-1996 dhe më pas Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë. Afrohet me Fatos Nanon, por aq sa prej pushtetit të njeriut që kishte bërë “burg politik” të përfitonte më shumë se mjaftueshëm.

Në nëntor të vitit 1999 Ilir Meta zgjidhet kryeministër, duke i bërë hije të rëndë liderit Fatos Nano i cili lëshonte pushtet kur situata ishte e rëndë dhe rimerrte pushtet kur “piqeshin kushtet” për të.

Në moshën 30-vjeçare Meta kapi majën, duke drejtuar qeverinë si kryeministri i tretë socialist në një kohë të shkurtër, pas Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos. Gjurmë la si kryeministër, por më shumë kuptoi se në vend të “statistikave të arritjeve”, duhet të bëhej një llogaritar i mirë për të pasur ndikim në parti.

“Hakmarrja” ndaj Sali Berishës ishte rasti i duhur, ndaj me shumë gjasa për këtë arsye lideri i demokratëve shoqërohet në Policinë e Tiranës për t’u mbajtur aty disa orë. Ndaj Berishës nuk u ngritën akuza, por policia aso kohe motivoi shoqërimin me akuzën e “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”.

Në fakt Meta më shumë se për të bërë një armik më tepër tek kundërshtarët politik, synonte të bënte taraf miqsh brenda partisë.

Njëri ishte ndryshe për të e madje edhe për shumë qytetarë që panë një politikan atipik. Ky ishte Edi Rama. Paçka se i pamësuar me daljet publike, ai nisi të farkëtonte një kamë të re që në raste të veçanta shërbente për “prerje kokash” në kupolën drejtuese të pushtetit.

E megjithatë Rama nuk ishte aspak gati, i nevojiteshin “leksione” nga Meta për të arritur qëllime të tjera shumë herë më të mëdha, gjithnjë pa Nanon nëpër këmbë.

Aleanca Meta-Rama do të detyronte Nanon të shpikë nga hiçi një lëvizje që ngjiti poshtë në elektoratin e majtë dhe tronditi jo pak kupolën qeverisëse Metën me bashkëpunëtorët e tij.

“Lëvizja për katharsis”, (që në greqishten e lashtë ka kuptimin ‘pastrim shpirtëror nga mëkatet’), bëri që në Partinë Socialiste të vitit 2001, mëkatarët të ktheheshin në “engjëj” e të mbronin në dukje një parti të hapur nën drejtimin Nanos.

Katharsis i ri-dha pushtetin socialistëve. Meta rimori bekimin e Nanos për të drejtuar për herë të dytë në karrierën e tij qeverinë. Këtë radhë vetë Nano nuk pranonte fuqizimin aq të dukshëm të Metës, që përveçse merrte mbështetës nga elita drejtuese e partisë, kishte edhe një shtyllë në Bashkinë Tiranë, nën drejtimin e Edi Ramës.

Përplasjet mes kryeministrit Meta dhe liderit socialist Nano u bënë më të dukshme kur votat e mbështetësve të Metës në PS u bashkuan me ato të PD-së së Berishës për të shkarkuar kryeprokurorin e kohës Albert Rakipin, i cili njihej si mbështetës i Nanos.

Hakmarrja e Metës ndaj Nanos vijon, duke e bllokuar atë që të zgjidhej president i vendit, madje kërcënoi se do të tërhiqej nga qeveria për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Në këto kushte Nano detyrohet të bëjë pakt me Berishën, duke zgjedhur presidentin konsensual Alfred Moisiu.

Fuqizimi i Nanos dhe vendosmëria e tij për të shkuar në zgjedhjet e vitit 2005 pa Metën “nëpër këmbë”, shtoi inatin e këtij të fundit të bënte të pa-mendueshmen: shkëputjen nga Partia Socialiste dhe krijimin e një subjekti të ri politik, Lëvizja Socialiste për Integrim.

Meta e bëri “dëmin” në ish-shtëpinë e madhe. Votat e tij në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 rodhën nga blloku i majtë duke dobësuar akoma më shumë Nanon.

Socialistët mbetën me parimin: “fito të të duam, humb të të urrejmë”. Dhe Nano humbi, duke fituar vetëm ‘urrejtjen socialiste’ që ishin nën traumë, teksa shihnin që pushteti kaloi në duart e Berishës, personi që u largua me armë e trazira me pasoja të rënda në vitin 1997.

Humbjen e zgjedhjeve, Fatos Nano e pagoi me “kokën e tij”. Në korrik të 2005 dorë-hiqet nga drejtimi i Partisë Socialiste por edhe nga politika. Dy tentativat e tij për tu zgjedhur president dështuan, pasi vetë socialistët nuk e mbështetën ish liderin e tyre. Tashmë Partia Socialiste kishte rënë në duar e Edi Ramës, mikut të Metës.

Dhe pse në zgjedhjet e vitit 2005, Ilir Mëta kishte siguruar pesë mandate deputetësh, sërish ishte i pafuqishëm përballë Berishës. Aleanca me Edi Ramën, i cili tashmë kishte pushtet të plotë mbi partinë, por njëkohësisht ishte edhe kryebashkiak i Tiranës, ishte zgjedhja e vetme.

E ndihmon Ramën që me votat e partisë së tij të rizgjidhet kryebashkiak në vitin 2007, ku Ilir Meta synim të vetëm kishte rikthimin në majën e politikës.

Por këtë herë, llogaritë dhe fati nuk ishin në anën e Metës.

Kryeministri Sali Berisha, i ndodhur ngushtë pas tragjedisë së Gërdecit, ku nga shpërthimi i fabrikës së denoncimit të municioneve u vranë 26 vetë, kërkoi një zbutje tensionesh politike dhe hodhi sytë nga Rama.

Marrëveshja mes tyre ra si bombë për Metën i cili e kuptonte qartë se ajo marrëveshje në mënyrë direkte vinte në diskutim të ardhmen e tij dhe LSI-së. Dyshja Berisha-Rama arrijnë paktin në vitin 2008 për ndryshimet kushtetuese të sistemit zgjedhor. Me ndryshimet e reja kushtetuese u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal ndërsa listat e deputetëve iu lanë në dorë kryetarëve të partive kryesore.

Kjo nxiti Metën dhe disa aleatë të partive të vogla që të futeshin në grevë urie në Parlament, por asgjë nuk ndryshoi. As reagimi i ashpër i Metës dhe të tijëve që kapërcyen mbi tavolina për të sulmuar krye parlamentaren Jozefina Topalli.

Meta e kishte të qartë se aleati Rama tashmë kishte bërë pakt për interes personal me “armikun” Berisha. Meta do të hakmerret një vit më vonë, duke bërë aleanca me “armikun e tij” për të lënë Ramën në opozitë.

Në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, PD mori 70 mandate, PS 66 dhe LSI 4 mandate. Berishës i nevojitej qoftë edhe një votë e vetme për të mos shkuar në zgjedhje të reja dhe aty gati ishte Meta. Kryeministri Berisha dhe Ilir Meta bëjnë formojnë qeverinë e re me koalicion të përbashkët dhe ato katër mandate të LSI-së u quajtën të arta dhe në fakt ashtu ishin.

Meta mori poste të rëndësishme në qeverinë Berisha dhe njëkohësisht edhe drejtimin e disa drejtorive të rëndësishme dhe punësim në administratë për anëtarët e LSI-së dhe mbështetësit e tyre. Berisha doli “gjysmë-fitimtar”, Meta i fituar ndërsa Rama humbës.

Atë që Meta bëri një vit më parë, duke u ngujuar në grevë urie në Parlament, e bën Rama në vitin 2009, teksa nguli çadrën përballë kryeministrisë. Eksponentë të rëndësishëm të PS-së u futën në grevë urie me kërkesën: “Hap kutitë ose largohu”.

Rama pretendonte se zgjedhjet ishin manipuluar dhe kërkonin hapjen e kutive të votimit, për të faktorizuar pretendimet e tij mendoi se greva e urisë do të zbarkonte tabore ndërkombëtarësh në mbështetje të opozitës!

Greva u mbyll dhe manipulimet u harruan pas një darke tek “Restorant Krokodili”, ku klientët kryesorë ishin Sali Berisha dhe Edi Rama, ndërsa sebepçinjtë ndërkombëtarë paguan faturën e mishit të patës duke marrë frymë lirisht që mbyllën edhe një telash tjetër të madh në Shqipërinë e vogël trazovaçe.

Rama nuk mori asgjë, përveç betonimit të karriges së tij si kryetar i PS-së, ndërsa Meta i gëzohej pushtit të dhuruar nga Sali Berisha.

Në janar të vitit 2011, publikohet një video me personazhe Ilir Metën dhe Dritan Prifti. Të dy burrat duket se flasin për lejë hidrocentrali ku haraçi i përmendur është “700 mijë”, me gjasa para. Vidioja u shndërrua në një kauzë të madhe për të tronditur qeverinë Berisha-Meta.

Mbahet protesta e 21 janarit 2011, aty ku PS e drejtuar nga Rama e kishte të qartë skenarin, që do të kishte dhunë deri në arritje të qëllimit. Mjeti justifikonte qëllimin, por vrasja e katër protestuesve, e dyshuar nga Garda e Republikës, i dhanë Ramës pushet.

Ndërsa 21 janari ishte plagë që rridhte, Ilir Meta detyrohet të japë sërish dorëheqjen, si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm. Do të përballej me drejtësinë, pa imunitet por me garancinë e mbështetjes së Berishës.

Akuzohet sërish për korrupsion por ndërsa fati i tij pritej të vendosej në Gjykatën e Lartë, kryeministri Sali Berisha kujdeset që të hante një darkë në shtëpinë e Ilir Metës.

Po ashtu si “rastësisht” mediat pranë qeverisë kapën momentin kur Berisha futet në banesën e Metës. Sinjali u dha për gjykatën që të nesërmen në anonimitet i dha pafajësi Metës.

I qartë me veten se në politikë nuk ishte “sot për sot”, Meta nuhati situatën që po kalonte vendi dhe me pafajësinë në xhep nis një lojë tjetër shumë më të madhe ngase e kishte menduar.

Afrohet sërish me “armikun” Edi Rama, pikërisht me njeriun që kishte tentuar ta rrëzonte me dhunë një vit më parë.

Morali politik ishte amoraliteti, por Meta, Rama dhe Berisha nuk kishin kohë për moralizim. Më 1 prill 2013, Meta dhe Rama pasi ishin dakortësuar në Gjirin e Lalzit për koalicion të përbashkët parazgjedhor nënshkruajnë marrëveshjen.

Berisha ndihet i humbur, duke pranuar me dhimbje ikjen e Metës në krahët e Ramës, aq të etur për pushtet, pasi kishte shansin e fundit.

E majta fiton dhe për shumë analistë bashkimi PS-LSI ishte natyral, por Rama kishte tjera ambicie në kokë. Metës i jep postin e Kryetarit të Kuvendit dhe në përfundim të mandatit do ta bënte president të vendit. Situata politike kishte ndryshuar.

Tashmë me Berishën “de jure” të larguar nga kryetar i PD-së, Rama e kishte shumë më të lehtë të deziluziononte Lulzim Bashën, i cili ende nuk ndante dot suksesin nga dështimi.

Me opozitën të hutuar dhe pa ide, Rama kishte vetëm një person që i bënte hije, Ilir Metën.

Në vitin 2015 Ilir Meta gjendet sërish nën akuzë, këtë radhë si organizator atentatesh, akuza këto që u ngritën nga ish-deputeti Tom Doshi.

Ngjarja do të shfrytëzohej nga Sali Berisha i cili në emër të PD-së kërkon largimin e Ilir Metës nga Parlamenti dhe përballjen e tij me drejtësinë.

Përplasja mes tyre detyroi Metën t’i kujtonte miqësinë e vjetër Berishës.

“Për ty bëj çdo sakrificë, po për Shkëlzen Berishën jo, e dhashë një herë nuk mund ta jap dy herë dorëheqjen për Zenin. Mos u bëj pjesë e puçit të pularisë me Doshin dhe Priftin si aksionerë. Për ty bëj çdo gjë por jo për Zenin.” – do të deklaronte Meta nga karrigia e kryetarit të Parlamentit.

Edhe këtë situatë Meta e kalon, por ajo që nuk ishte përgatitur të përballonte ishte fuqizimi i skajshëm i kryeministrit Rama dhe dëshira e tij për të mos ndarë pushtet me askënd.

Si kryetar Kuvendi, Meta tenton të dalë “mbi palët”, për këtë shfrytëzoi nisjen e reformës në drejtësi.

Pas shumë diskutimesh dhe takimesh, dyshja e ambasadorëve Donald Lu i SHBA-së dhe Romana Vlahutin e BE-së i venë palët në rresht, duke lëshuar ultimatumin që kushdo që nuk do të votonte reformën do futej në rrethin e kuq të SHBA-ve.

Kështu u bë, dhe të 140 deputetët votuan pro reformës në drejtësi në korrik të vitit 2016.

Paradoksalisht Ilir Meta duartrokiste më fort aty në krye të Kuvendit, një rresht poshtë tij Rama dukej i përmbajtur, ndërsa pak tavolina më tutje Sali Berisha rrihte shuplakat në një lloj përhumbje.

Një vit më pas Ilir Meta katapultohet në krye të presidencës me ndikimin direkt të Ramës. Në fakt kjo “rritje në detyrë” për Metën ishte ulje në ndikim.

Ashtu ndodhi dhe llogaritari Meta gaboi sërish, pasi “telajo” po bojatisej sipas dëshirës së kryeministrit Edi Rama që në mënyrë të drejtpërdrejtë po shijonte marrëveshjen e dikurshme me Berishën në vitin 2008.

Në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017 Meta doli vetë në krye të fushatës si kreu i LSI-së, ndonëse ishte zgjedhur president, por betimi ende nuk ishte bërë. Gjithçka shkoi dëm. Rama merr i vetëm drejtimin e qeverisë, tashmë me një aleat të ri “de fakto”, Tom Doshin.

Partia Demokratike humbi thellë, ndërsa LSI u rrit, por pa ndikim.

Vitet e presidencës së Metës kanë qenë ndër më aktivet dhe në përplasje të hapur me Ramën dhe ndërkombëtarët, pikërisht për çështjen e reformës në drejtësi. Në disa raste Meta pati të drejtë, duke marrë “fermanin” e drejtësisë edhe nga Komisioni i Venecias, por asgjë nuk kishte vlerë për aq kohë sa kompetencat e presidentit ishin tkurrur nga firmat e Berishës dhe Ramës.

Ilir Meta merr edhe një tjetër goditje, këtë herë nga të tijët në vitin 2021. Sërish Rama fiton, por më shumë se meritë e tij ishte dështim i Lulzim Bashës si kreu i PD-së dhe Monika Kryemadhit si drejtuese e LSI-së.

Këta të dy zyrtarisht mbajtën “barrën e humbjes”, por praktikisht humbësit e mëdhenj ishin Ilir Meta dhe Sali Berisha. Që të dy e morën lehtësisht djegien e mandateve në vitin 2019 dhe njëkohësisht edhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të opozitës.

Ramës i falën pa luftë edhe disa pushtete më shumë. Po drejtësia e re? Në këtë pikë Ilir Meta luajti dobët. Në momente dëshpërimi nisi akuza të rënda si ndaj Ramës ashtu edhe ndaj ambasadorëve të huaj, veçanërisht të SHBA-ve dhe BE-së.

Ai i akuzonte se kishin kapur reformën në drejtësi dhe se e gjithë kjo nismë quhej e dështuar. “I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë”-tha Meta duke iu referuar SHBA-ve dhe ish-ambasadores Yuri Kim.

Po opozita ku ishte teksa drejtësia e re u ngjiz dhe u rrit?

Pikërisht se nuk dinin ku ishin, Meta dhe Berisha panë pasojën, por jo shkakun. Tashmë Ilir Meta ka barrën e rëndë të tre akuzave nga “drejtësia e re” që aq shumë e duartrokiti.

#Ngritja #shkëlqimi #dhe #rënia #Ilir #Metës
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button