Tërmet politik në Gjermani, bie qeveria e koalicionit, Scholz shkarkon ministrin e Financave
Koalicioni qeverisës gjerman është shembur. Kancelari Olaf Scholz, i Social Demokratëve (SPD) ka shkarkuar Ministrin e Financave Christian Lindner të Liberalëve (FDP).
“Sapo i kërkova Presidentit shkarkimin e Ministrit të Financave. E shoh të domosdoshme këtë hap për të shmangur dëmin ndaj vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri funksionale, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin tonë”, njoftoi kancelari gjerman Olaf Scholz, të mërkurën në mbrëmje, se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë në Gjermani dështoi dhe se e kishte shkarkuar ministrin e Financave, Christian Lindner.
Kancelari 66-vjeçar socialdemokrat nuk i kurseu kritikat e ashpra ndaj zëvendëskancelarit 45-vjeçar nga partia liberale. Ai e akuzoi për sjellje të papërgjegjshme, duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Gjermania.
“Lindner ka thyer besimin tim shumë herë. Nuk ka më bazë besimi për bashkëpunim të mëtejshëm. Udhëheqësi i FDP është më shumë i shqetësuar për klientelën e tij dhe mbijetesën e partisë së tij”, vuri në dukje Scholz.
Pas shkarkimit të ministrit të tyre, liberalët bënë të ditur se do t’i tërheqin edhe ministrat e tjerë nga koalicioni. Kryetari i grupit parlamentar, Christian Dürr, njoftoi në Berlin se ministrat e FDP-së do të paraqesin dorëheqjen e tyre kolektivisht te presidenti. Me këtë veprim, FDP i dha fund koalicionit trepalësh të qendrës së majtë. Dürr tha se tani duhet ta vendosin zgjedhësit se cilin drejtim duhet të marrë vendi, por premtoi se për periudhën e mbetur, FDP do të vazhdojë të jetë konstruktive në Bundestag dhe do të bashkëpunojë me të gjitha grupet parlamentare demokratike.
/a.r
#Tërmet #politik #në #Gjermani #bie #qeveria #koalicionit #Scholz #shkarkon #ministrin #Financave
Java News