Aktualitet

Risitë e rregullores për stacionet e plazhit, 30% e hapësirës për publikun

Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.

Dokumenti vjen pas një sezoni pozitiv në shifra, por i shoqëruar me një numër të madh ankesash nga pushuesit për shkak të mundësisë së pakët për të vizituar plazhet shqiptare.

Por si do të funksionojë në terren raporti i ri me stacione të plazhit dhe hapesires publike?

“Përgjithësisht këtë vit në gjithë vijën bregdetare në 1.000 m linearë gjatësi, 300 m do t’i dedikohen publikut,” deklaron drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako.

“Është një zgjidhje oportune, pasi zënia e kilometrave të tëra ka krijuar probleme,” shton kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi.

Me rregulloren e re njësitë vendore marrin një rol edhe më aktiv se më parë në mbikëqyrjen e plazheve.

Për z. Topuzi, bazuar edhe në eksperiencën rajonale, nevojitet transparencë sa i përket funksionit të stacioneve.

“Nga eksperienca në rajon, ka një hartë të vendosur në hyrje të stacionit të plazhit ku janë përcaktuar distancat, numri i çadrave, numri i parcelës,” shprehet z. Topuzi.

Risi në rregulloren e re janë stacionet e plazhit të menaxhuara nga bashkitë.

“Edhe vetë bashkitë do të kenë mundësinë të krijojnë stacione të mirëfillta plazhi. Do të kenë tarifa të vendosura me vendim të Këshillit Bashkiak, të cilat do të jenë shumë të ulëta,” shton z. Lako.

“Është një alternativë e mirë. E rëndësishme është që u mor vendimi që plazhi të mos jetë i zaptuar vetëm nga struktura të cilat kërkojnë pagesë,” thotë z. Topuzi.

Rregullorja e re synon krijimin e një përvoje më të mirë dhe më të sigurt për pushuesit, duke garantuar hapësira më të rregullta dhe të qarta për turistët, por edhe për ata që kërkojnë qasje të lirë në hapësirën publike të bregdetit shqiptar.

#Risitë #rregullores #për #stacionet #plazhit #hapësirës #për #publikun
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button