Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i cili së fundmi u pa në Rusi në Samitin e Brics, ka përgatitur një raport rreth situatës në veri të Kosovës.
Në raportin e tij të rregullt, i cili do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 30 tetor, ai ka vlerësuar se situata në Kosovë është e tensionuar, me mundësi përshkallëzimi.
Siç raportohet, ai në raportin që do ta paraqesë ka deklaruar se veprimet e “njëanshme”, si mbyllja e institucioneve të financuara nga Beogradi, kufizimi i qarkullimit të mallrave dhe shpallja e hapjes së urës mbi Ibër, rrisin tensionet.
“Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, tha Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.
Ai paralajmëroi se këto lëvizje “ngrenë tensionet dhe zvogëlojnë besimin midis komuniteteve dhe minojnë komunitetet dhe institucionet”.
“Është e një rëndësie thelbësore që lëvizjet e liderëve politikë të jenë në përputhje me nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha Guterres.
Guterres i cili sulmin e Banjskës e ka cilësiuar si incident, ka thënë se |incidenti serioz i sigurisë në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar është një tregues i nevojës që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë dhe se sqarimi i incidenteve të tilla është i një rëndësie kyçe për rivendosjen e besimit”.
#Raporti #Guterres #Atmosfera #në #veri #ende #tensionuar #mundësi #përshkallëzimi
gazetablic.com