Aktualitet

Vazhdon dëshminë Nuredin Ibishi në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 97-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, i cili mban kodin 04758 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurores Silvia D’Ascoli është marrë nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, e që është një organogram që tregon formacionin e brigadave brenda UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se ka njohuri për përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se përfaqëson strukturën e organizimit të brigadave të UÇK-së, konkretisht atë që e kanë aplikuar edhe në Zonën Operative të Llapit.

Ai tha se nuk është i sigurt se kur e ka marrë një organogram të tillë gjatë luftës, por mendon që mund të jetë pas gushtit 1998.

Ibishi pohon se organogrami që ai ka pasur gjatë luftës mbante vulën e njëjtë të Shtabit ashtu siç e ka tashmë dokumenti i prezantuar në gjykatë.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një organogram tjetër, për të cilin ai tha se është formacioni i një komande të një zone operative të UÇK-së.

Ibishi tha se kur e ka marrë një dokument të tillë, nuk i kujtohet koha dhe nga kush e ka marrë.

Dëshmitari tha se këto organograme i ka përditësuar dhe modifikuar me të dhëna përkatëse dhe si rrjedhojë i ka informuar autoritetet përkatëse.

Ludhur me autoritetet përkatëse, dëshmitari tha se e kishte fjalën për komandantin e zëvendëskomandantin e zonës pasi që sipas tij, këto ndryshime i ka bërë në koordinim me ata.

Në seancën e së enjtes, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, të mërkurën seanca ka përfunduar si private me kërkesë e prokurores, me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.



#Vazhdon #dëshminë #Nuredin #Ibishi #në #rastin #Thaçi #dhe #të #tjerët
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button