Meta u arrestua dhunshëm? Reagon ministri Hoxha: Policia në të gjithë botën ka vetëm një opsion…
Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Ervin Hoxha, ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-presidentit të vendit, Ilir Meta, një ditë më parë.
Hoxha shkruan se janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, gjatë zhvillimit të operacionit.
Kjo pasi – sipas tij – reagimi i efektivëve ka ardhur si pasojë e rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin (Metës).
Hoxha shkruan se kundërshtimi forcërisht i Ilir Metës që t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës ishte zanafilla e ngjarjes.
“Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici”.
Më tej, ministri shpjegon se “për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor”.
Ministri thotë se, ka reaguar pasi ndoqi me vëmendje opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë.
“Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë. Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare”.
Për të, ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.
“Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm”.
Prandaj – thotë ai – me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit.
“Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës”.
Ministri e mbyll arsyetimin e tij duke theksuar se Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën.
/a.r
#Meta #arrestua #dhunshëm #Reagon #ministri #Hoxha #Policia #në #të #gjithë #botën #vetëm #një #opsion..
Java News