Aktualitet

LZHK apelon për normalitet: Kuvendi ka 5 muaj jetë, ktheni të përjashtuarit

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i bëri thirrje të premten dy partive rivale më të mëdha që të rikthejnë normalitetin në Kuvend.

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ftoi mazhorancën të bëjë hapin e parë duke revokuar një vendim të Etikës për të përjashtuar 24 deputetë të opozitës si pasojë e ngjarjeve të dhunshme të regjistruara brenda dhe jashtë parlamentit në javët e kaluara.

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar shpreh shqetësimin e saj për situatën e përkeqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk mund të jenë funksionale seancat parlamentare kur mazhoranca ka përjashtuar gjysmën e deputetëve të opozitës. Kjo është e papranueshme në çdo vend demokratik dhe opozita ka të drejtën e saj legjitime të reagojë edhe ashpër me të gjitha mënyrat që i lejon ligji dhe demokracia. LZHK i kërkon mazhorancës që të mos provokojë opozitën dhe të rikthehet sa më shpejt normaliteti i Kuvendit.

Brenda kësaj ka dy elemente: së pari, Komisioni i Etikës parlamentare, që ka përjashtuar 24 deputetë, ne e ftojmë si LZHK të mblidhet që ditën e hënë dhe të heqë dënimet për deputetët opozitare, sepse nuk ka aspak logjikë. Parlamenti shqiptar ka gjithsej edhe nja 5 muaj jetë dhe t’i përjashtosh për dy muaj gjysmën e deputetëve do të thotë në një farë mënyre të provokosh palën tjetër që të bëjë sherret që po bën. Përndryshe ka një prapavijë politike për ta bllokuar parlamentin, për të mos pasur debat. Parlamenti është arma më e fortë që ka opozita nga këtu deri në zgjedhje,” u shpreh Shehi.

Në konferencën për shtyp me bashkëkryetarin Ekrem Spahiu, z. Shehi renditi katër pika për diskutim. Ai përshëndeti procesin e negocimit me BE-në, që këtë javë hyri në një zhvillim të ri.

Duke u ndalur te stina zgjedhore përpara fushatës së 2025-ës, kreu i LZHK-së kërkoi nga opozita të mos lejojë PS-në që të shmangë votimin elektronik, të paktën në kryeqytet.

Kemi dy vjet që bëjmë luftë për votimin elektronik. Modeli është provuar në Tiranë te lagjja 10, në Elbasan. Mund të ketë pasur probleme, por gjithsesi hyn te ata që mund të konsiderohet i suksesshëm. Tirana e ka infrastrukturën teknike dhe njerëzore. Ne mendojmë që partia më e madhe opozitare të mos e mbështesë mënyrën e vjetër të votimit. Votimi me mënyrën e vjetër do të thotë hyrja në punë e ushtrisë së komisionerëve, abuzimi me votat. Partitë e vogla nuk kanë të drejtë ligjore të kenë komisionerë, ndaj zotërinjtë e dy partive të mëdha do të numërojnë votat e gjithë të tjerëve duke gjetur lloj-lloj sebepesh. Sistemi është provuar, ka defekte si gjithë sistemet, por ia vlen të votohet njëherë ndryshe në Shqipëri,” shtoi kryetari i LZHK-së.

Për sa i përket çështjes së javës, që është vendosja e emigrantëve të parë nga Italia në kampin e Gjadrit, z. Shehi tha se LZHK-ja vazhdon të jetë kundër kësaj politike.

Ne po bëhemi vendi i parë në Europë që po pranojmë një ‘kamp përqendrimi’. Këtë e kemi bërë me justifikimin për të mbrojtur në luftën kundër emigrimit ilegal, për të pasur një raport më të mirë me Italinë, por kjo është pak e paligjshme dhe e pamoralshme, madje pak e tepruar për realitetin shqiptar. Iranianë, afganë afrikanë… ne jemi kundër kësaj marrëveshjeje, edhe pse mendojmë se Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë politika të partneritetit strategjik me Italinë. Por marrëdhëniet nuk duhen ngushtuar vetëm në këtë lloj fushe,” deklaroi Shehi.

/a.r

#LZHK #apelon #për #normalitet #Kuvendi #muaj #jetë #ktheni #të #përjashtuarit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button