Ish-gjykatësi i Kushtetueses, Fatos Lulo, dënohet me 80 orë punë në komunitet

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO) vendosi të enjten të dënojë me 9 muaj burg ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.
Ish-gjykatësi akuzohet për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë, por dënimi i tij do të jepet në formën e 80 orëve punë në komunitet, sqaroi GJKKO.
Prokuroria kishte kërkuar fillimisht dënimin e 63-vjeçarit me 1 vit burg dhe konvertimin në 2 vjet shërbim prove.
SPAK-u e akuzoi Lulon se nuk deklaroi një dyqan tashmë nën sekuestro në Rrugën e Durrësit. Hetimet zbuluan se ish-gjykatësi nuk i kishte të ardhurat financiare për të provuar pasurinë e tij.
Para shkarkimit prej vetingut në vitin 2018, Lulo pretendonte se prona i është dhuruar nga e motra e vet, bashkë me 100 mijë euro, me qëllimin për të shkolluar fëmijët.
Dhurimi ishte si shpërblim për apartamentin e prindërve që Lulo i kishte lënë asaj në vitin 1997, pretendon pala mbrojtëse. Vetingu nxori se as motra e Lulos nuk kishte të ardhura të verifikueshme për t’ia dhuruar vëllait të saj.
#Ishgjykatësi #Kushtetueses #Fatos #Lulo #dënohet #orë #punë #në #komunitet
Java News