“Me dëshirë do e merrja Zhegrovën”! Armand Duka: Po negociojmë me Brajan Grudën…
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje live në televizionin “Euronews Albania” me dy gazetarët Esmeralda Mulaj dhe Enriko Gabaj. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli për dy ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare, humbjen ndaj Çekisë dhe fitoren ndaj Gjeorgjisë. Presidenti Duka tha se është për t’u vlerësuar reagimi i menjëhershëm i Kombëtares, ndërsa shtoi se grupi është i balancuar dhe të gjithë kanë shanse për vendin e parë.
Gjitashtu, kreu i Federatës foli edhe për incidentet e ndodhura në Çeki me flamujt shqiptarë duke theksuar se janë ngjarje që nuk kanë lidhje me futbollin. Presidenti Duka foli edhe për Grudën e Hasën, futbollistët shqiptarë të cilët janë rritur në ekipet zinxhir të Gjermanisë e Italisë si edhe për futbollistët shqiptarë të cilët kanë vendosur të luajnë për Shqipërinë. Sa i përket kritikave ndaj tij dhe trajnerit Silvinjo e futbollistëve, kreu i FSHF-së tha se i mirëpret, pasi kritikat të ndihmojnë të korrigjohesh. Ajo që nuk duhet pranuar janë baltosjet që hidhen në drejtim qoftë të trajnerit, ekipit apo presidentit. Ndër të tjera, Presidenti Duka nënvizoi edhe njëherë tjetër se pse bashkëpunimi me Serbinë për të mirëpritur finalet e Europianit U-21 2027 është pozitiv. Armand Duka foli edhe për përfaqësuesen e Kosovës dhe theksoi se i pëlqen ecuria e ekipit të drejtuar nga trajneri Foda deri më tani.
Ndeshja me Gjeorgjinë? – Futbolli është interesant pikërisht sepse asnjëherë nuk e di kur do të fitosh, barazosh apo humbësh. Fusha e lojës mund të sjellë çdo gjë. Në nivelin që është Kombëtarja shqiptare sot është akoma më shumë e pritshme në çdo ndeshje. Ka skuadra që kanë një lloj disniveli dhe është pothuajse më shumë se 80% probabiliteti i fitores apo humbjes. Niveli që ka skuadra jonë, por edhe skuadrat e grupit ku ne ndodhemi në Nations League është i tillë që çdo sfidë pritet me emocion. Me Gjeorgjinë padyshim që prisnim të fitonim sikurse dhe mund të kishim një rezultat negativ si në Tiranë.
Vendi i parë në grup? – Duke vazhduar me të njëjtën logjikë dhe duke besuar vërtetë në gjendjen e mirë të skuadrës, por edhe të kundërshtarëve çdo gjë mbetet e hapur sidomos me klasifikimin që kemi sot. Kryeson Çekia me 7 pikë, ne dhe Gjeorgjia jemi me 6 pikë, ndërsa Ukraina me 4 pikë. Kjo nuk do të thotë që Ukraina është skuadra më e dobët e grupit, pasi edhe Ukraina e pretendon vendin e parë në dy ndeshjet e fundit. Çdo gjë mbetet e hapur, ne kemi një avantazh pasi dy ndeshjet e fundit i luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Kemi lojtarin e 12-të dhe shpresojmë që ta shfrytëzojmë. Skuadra mos të jetë në presion nga përgjegjësia që të jep tifozi në stadiumin “Air Albania”, por ta shfrytëzojë këtë si avantazh. Siç e thashë edhe më parë niveli i skuadrave është i barabartë dhe mbetet për t’u parë në dy ndeshjet e fundit. Të gjithë kontribuojmë në futboll, ju dhe të gjithë ne. Ndikimi i Presidentit është i vogël në krahasim me atë që ndikon stafi dhe futbollistët në fushë.
Ndeshja me Çekinë? – Mua më vjen mirë që ekipi Kombëtar është në atë niveli që mërzitemi shumë me një humbje në Çeki. Kjo është merita e skuadrës që ka arritur këtë nivel. Në Çeki mund të humbi edhe Gjermania dhe Franca, pra kushdo, por edhe mund të fitosh. Unë nuk mund të them që ishte një gjë për t’u harrur, ishte një ndeshje jo shumë e mirë që nuk u ngjit në nivelin e skuadrës tonë. Kishte dhe ajo ndeshje fazat e veta pozitive, kishim mundësitë tona. Por ky është futbolli, ndahet nga episodet. Nëse do të kishim shënuar me Dakun apo me Asanin, atëherë do të flisnim me superlativa për skuadrën, por gjithsesi edhe si rezultat i pësimit të golit në fillim të ndeshjes skuadra jonë nuk u ngjit në nivelin e mundësive të veta. Ndodh në futboll, ky është futbolli nuk mund të jesh gjithmonë në nivelin më të lartë të performancës dhe pikërisht për këtë i ka të tre rezultatet. Gjithsesi fakti që skuadra në tre ditë arriti të rikuperojë sepse në të vërtetë është një lloj shoku, pasi ne shkojmë në ekstreme kur humbim, i bëjmë futbollistët si “armiq” dhe kur fitojmë i bëjmë si “superheronjtë” e Shqipërisë, nuk jemi shumë stabël me ta. Presioni jonë karshi skuadrës ishte shumë i madh dhe fakti që ata djemë arritën që të rikuperojnë psikologjikisht dhe sportivisht, të fitojnë një ndeshje vërtetë të vështirë në Gjeorgji është për t’u vlerësuar.
Incidentet e ndodhura në Çeki? – Janë gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin dhe nuk duhet të ekzistojnë. Futbollisti nëse do të arrijë të shohë jashtë fushës së gjelbër e ka të vështirë të përqendrohet në lojë dhe kur futet në fushë përqendrohet në punën e tij. Unë nuk e di i kanë parë apo jo, por unë faktikisht nuk i kam parë gjatë lojës në stadium. Flamujt e vendosur ishin shumë larg dhe nuk dukeshin, por gjithsesi janë ngjarje sporadike që nuk kanë lidhje me lojën dhe futbollin. Nuk duhet të ekzistojnë. Unë nuk besoj që ne duhet ta përgjithësojmë dhe të themi që çekët janë kundër shqiptarëve. Nuk është kjo sjellja dhe kultura e popollit çek kundër shqiptarëve. Ashtu sikurse nuk është kultura jonë që të fishkëllejmë himnim gjeorgjianë, por kishte disa njerëz që e bënë atë gjë. Kjo nuk duhet të ndodhi është e dënueshme. Ato që e kanë bërë në Çeki këtë gjë janë një grup njerëzisht ose një individ apo dy. A kanë qenë të shtyrë apo të paguar dhe për çfarë arsye, i takon më shumë organeve kompetente dhe institucioneve të Çekisë për ta vërtetuar. Shije shumë e keqe për futbollin në përgjithësi dhe për ne. Mund të kishte një reagim më të shpejtë nga skuadra dhe stafi që ishin në fushë, por fakti që përqendrohen në lojë ka bërë që të mos i shohin. Momenti që jemi sinjalizuar në fakt nëpërmjet atyre që i kanë parë në ekran dhe na i kanë dërguar me WhatsApp ne kemi ndërhyrë dhe kemi kërkuar që të hiqen dhe të largohen. Nuk janë këto fenomenet dhe sjelljet e futbollit që ne duhet ti përgjithësojmë, këto janë grupe njerëzisht dhe fenomene që nuk duhet të ndodhin. Mund të ketë forca të interesuara për axhendat e tyre politike që mund t’i shtyjnë këto. Mund ta bëjnë në Çeki ose në një shtet tjetër. Nuk arritën të bëjnë asgjë në Gjeorgji, pasi sjellja e tifozëve të tyre ishte korrekte në stadium, madje mund ta konsiderojmë një lloj leksioni duartrokitjen që ato i bënë himnit kombëtar shqiptar. Mendoj që nuk ishte pa qëllim pasi edhe ato nuk e kanë përjetuar mirë që një pjesë e tifozëve shqiptarë ja kanë fishkëllyer himnin në Tiranë. Padyshim që ka masa. Ne jemi dënuar për fishkëllimin e himnit kombëtar gjeorgjian në Tiranë me 12.500 euro nga UEFA. Padyshim që gjoba për flamujt apo për vendosjen mbrapsht të tyre me qëllim negativ në Çeki do të ketë një gjobë akoma më të madhe për ta sepse këto janë rregullat e futbollit. Të gjitha vendet kanë të njëjta të drejta në UEFA, rregullat janë të njëjta për të gjithë. Bashkëpunimi dhe solidariteti janë parimi kryesor dhe të gjithë komisionet e UEFA-s që marrin vendime janë nga të gjithë vendet dhe gjobat apo masat funksionojnë për të gjithë.
Gruda dhe futbollistët e tjerë shqiptarë – Gruda është një futbollist shumë i mirë, e thotë vetë me paraqitjet e tij në fushë. Por edhe Hasa në Itali është një futbollist shumë i mirë, ka luajtur me ekipet kombëtare të Italisë. Janë shqiptarë, kanë dopio shtetësi, por është vendimi i tyre se për çfarë kombëtare duan të luajnë. Ne i kemi ftuar, kemi biseduar dhe negociuar dhe urojmë që ata të vendosin për të luajtur për Shqipërinë. Për momentin janë përqëndruar në lojën e tyre me klubet dhe nuk kanë marrë një vendim. Ata do të vendosin me dëshirën e tyre. Pa dyshim që ne kemi dëshirë që ata të kontribuojnë për ne. Ka edhe shumë futbollistë të tjerë më të rinj në moshë, talente shumë të mirë që janë pjesë e ekipeve tona të moshave që mund të afrohen. Siç u afruan në ndeshjen e fundit, Adrion Pajaziti, Feta Fetai dhe Indrit Tuci. Ky i fundit nuk ishte ftuar prej kohësh, por luajti titullar në Gjeorgji. Jo vetëm këto që ne diskutojmë, të cilët i konsiderojmë kualitete, por edhe të tjerë të cilët shikohen, analizohen dhe studiohen. Kjo është e veçanta e stafit të këtij ekipi kombëtar, të cilët janë 365 ditë në punë dhe analizojnë e përgatisin shfaqjen e një dite në shumë ditë pune.
Kritikat ndaj Silvinjos pas ndeshjes me Çekinë – Kritikat janë të mira jo vetëm në futboll por në çdo fushë tjetër. Të bëjnë mirë kur janë kritika, të dëgjosh ato që janë me vend dhe të korrigjohesh, të të mbajnë në presion. Nuk kemi pse mërzitemi kur ka kritika pas një performance jo të mirë, pas një rezultati negativ. Në futboll janë pak më të prekshme sepse gjerat janë më transparente, më të hapura. Janë në fushën e lojës. Për sa kohë janë kritika, janë për t’u vlerësuar dhe për t’u korrigjuar. Ndërsa ato që mezi presin për të hedhur baltë, mirë është që as Silvinjo dhe askush mos t’i marrë parasysh por t’i shohë përpara. Ai futbollist apo trajner që ndikohet nga baltosja, nuk është profesionist. Ndërsa ai trajner apo ai futbollist që nuk merr parasysh kritikat, sërish nuk është profesionist.
Kritikat ndaj Presidentit Duka për Europianin U-21 2027 – I kam ndjekur, i kam dëgjuar. Kam të njëjtin qëndrim për baltosjen. Nëse duhet të rikthehem përsëri pse ne kemi vendosur që të aplikojmë për të pritur këtë Europian në Shqipëri për herë të parë në historinë e tij. Të bashkëpunojmë me një federatë tjetër siç është ajo serbe ishte një mundësi më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri, ndryshe ishte e pamundur. Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive edhe benefite politike, nëse i analizojmë. Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur por gjasat janë që ne do jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim. Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi. Ne na intereson që të kemi paqe jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që të ndërtojmë të ardhmen në paqe. I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës. A kam folur me Canën? – E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht. Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri në 2027 do t’i kontribojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi.
Shqetësimi i shqiptarëve të Kosovës për thirrjet e serbëve në stadiumet e tyre – Ne nuk e dimë se çfarë masash merr Federata Serbe sepse të njëjtën gjë mund të thonë edhe serbët, se çfarë masash do të marrë Federata Shqiptare. Unë di të them që nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë mesazhe negative për asnjë popull tjetër. Por fatkeqësisht, nga shkallët e stadiumeve tona edhe ne i ofendojmë serbët. Pavarësisht se nuk luajmë me Serbinë. Kjo është negative nga ana jonë, kjo është negative edhe nga ana e tyre. Këtë lloj mesazhi duhet të japim. Mos të bëjmë këtë, por të shkojmë në stadium të shohim një ndeshje futbolli.
Broja, Manaj dhe kapiteni Gjimshiti, mungesat e Shqipërisë në sfidat e fundit – Tre emrat janë kualitete që ne na ndihmojnë shumë dhe unë uroj që të rikthehen në nëntor dhe mos të kemi mungesa të tjera. Të kemi 100% të futbollistëve më të mirë në formë dhe në gjendje të mirë shëndetësore dhe të bëjmë një performancë pozitive.
E ke ndjekur përfaqësuesen e Kosovës? – Kosova ka një skuadër shumë të mirë. Me përbërje shumë të mirë, futbollistë me shumë kualitet, të nivelit europian dhe që mund të bëjë shumë mirë në çdo ndeshje. Pavarësisht se patën një hap fals ndaj Rumanisë në ndeshjen e parë, në ndeshjet e tjera ka qenë bindëse dhe uroj që të vazhdojnë kështu deri në fund. Disi e vështirë duket që të jetë e para në grup, por edhe si e dyta e grupit mund të luajë në play-off, por jam shumë i sigurt që do ta kalojnë dhe do të ngjiten në Ligën B në Nations League. Do të jenë një ekip pretendent për Kupën e Botës 2026. Nëse e ka ndryshuar Foda apo e ka ndryshuar koha, këtë nuk di ta them, sepse nuk e njoh nga afër punën e trajnerit. Por di që është një trajner me eksperiencë dhe me shumë rezultate pozitive.
Futbollistë të Kosovës te Shqipëria? – Rregullorja nuk lejon që të marrësh futbollistë që janë aktivizuar me ekipin A, por me dëshirë do e merrja Zhegrovën (qesh).
#dëshirë #merrja #Zhegrovën #Armand #Duka #negociojmë #Brajan #Grudën
SportExpress