Aktualitet

Dy zyrtarët komunalë të Suharekës të akuzuar për korrupsion hyjnë në negociata për marrëveshje me Prokurorinë

Dy zyrtarët komunalë të Suharekës të akuzuarit për korrupsion, Beqir Berisha dhe Berat Kabashi, të martën, në seancën fillestar janë pajtuar që të hyjnë në negociata për të arritur një marrëveshje me Prokurorinë.

Avokati i të akuzuarit Beqir Berisha, Arben Ramadani, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet nëse prokuroria është e gatshme të u jepet mundësia për negocimin mbi pranimin e marrëveshjes.

I akuzuari Berisha ka deklaruar se pajtohet me propozimin e mbrojtësit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Berat Kabashi, avokat Besim Morina, është pajtuar dhe ka mbështetur fjalët e avokatit Ramadani lidhur me negocimin e marrëveshjes.

Po ashtu edhe prokurorja Ervehe Gashi u pajtua që të fillon negocimi mbi marrëveshjen nga ana e të pandehurve.

Për shkak kërkesën për negocimin e marrëveshjes, gjykatësja Raima Elezi ka marrë vendim për shtyrjen e seancës së sotme për një datë tjetër, varësisht nga rezultati negociatave.

Sipas aktakuzës, prej datës 22 maj 2018 deri më datë 22 tetor 2018 në Suharekë, i akuzuari Beqir Berisha, në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, dhe i akuzuari Berat Kabashi, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë, kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt, duke vepruar në kundërshtim me nenin 61 të rregullave dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ – kryetarit të Komunës së Suharekës.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Kabashi, kishte bërë ndryshime në paramasat dhe parallogaritë e projektit pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ, që është kryetari i Komunës së Suharekës, ndërsa i akuzuari Berisha, kishte aprovuar këto ndryshime gjatë ekzekutimit të punimeve.

Në aktakuzë thuhet se, në poligonet sportive në fshatrat Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profile metalike të plastikëzuara, ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara. Po ashtu, aty thuhet se në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës me betonarme, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyral.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të këtyre ndryshimeve, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëmtim material në shumën prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë, ndërsa operatorit ekonomik “AAB Construction” SHPK me seli në Prishtinë i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumën prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë.

Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 2, pika 2.1 dhe lidhur me nenin 31 të KP-së.



#zyrtarët #komunalë #të #Suharekës #të #akuzuar #për #korrupsion #hyjnë #në #negociata #për #marrëveshje #Prokurorinë
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button