Nesër Procesi i Berlinit, Hofreiter: Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparime
Në prag të Samitit të Berlinit këtë të hënë ku merr pjesë edhe kryeministri Rama, Gjermania ka veçuar si dy shtetet më të suksesshme të rajonit për reformat e kryera, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Evropën Hofreiter thekson se Podgorica po zbaton shumë mirë reformat dhe gjithashtu Tirana ka arritur shumë përparime.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 për të promovuar bashkëpunimin si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes këtyre vendeve dhe atyre të BE-së. Zbatimi i marrëveshjeve ka qenë i ngadalshëm, madje në disa raste ato nuk janë zbatuar. Ka pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave.
Edhe pse u ra dakord dy vjet më parë në Berlin që kërkesat për viza mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës të hiqen, kjo nuk ka ndodhur ende. Në muajin Nëntor të vitit 2022, kryeministrat e gjashtë vendeve që përbëjnë Ballkanin Perëndimor – Shqipëria , Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi , Maqedonia e Veriut dhe Serbia, nënshkruan tre marrëveshje duke u zotuar të njohin reciprokisht kartat e identitetit, diplomat universitare dhe disa kualifikime profesionale. Megjithatë, zbatimi ka ngecur.
Ndër qëllimet e mira të Procesit të Berlinit, por mjaft të sfiduara, janë: Agjenda e Lidhshmërisë dhe objektivi i pajtimit të shoqërive në rajon. Agjenda e Lidhshmërisë ka paraparë një standardizim të procedurave për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave në Ballkanin Perëndimor, zhvillim të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, hapje të kufijve, si dhe rritje të mundësive për lëvizshmëri në rajon.
Tregu i Përbashkët Rajonal është projekti kryesor i Procesit të Berlinit, por si i tillë nuk ka arritur të realizohet. Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore, e arritur në vitin 2006, përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavinë.
Qeveria e Kosovës ishte kritikuar per mos zbatimin e saj por ajo e ka hequr ndalesën per mallrat serbe më 7 Tetor – pas më shumë se një viti – në vendkalimin kufitar të Merdares. Zbatimi i CEFTA-s, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërlidhet me zbatimin e Marrëveshjes për Treg të Përbashkët Rajonal (TPR), e cila del nga Procesi i Berlinit.
Qytetarët e të dyja vendeve po vazhdojnë të pajisen me viza për të lëvizur në vendet përkatëse. Kjo, për shkak se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar asnjërën marrëveshje. Për njohjen e diplomave, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje edhe në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, por ajo nuk gjeti zbatim në terren.
Në Samitin e 14 Tetorit në Berlin pritet të lancohet Tregu i Përbashkët Rajonal 2. Në vitin 2023 u shënua hyrja në fuqi e tarifave të reduktuara për “roaming”. Si shembull të mirë, përmendet zbatimi i projektit të iniciuar në samitin e Parisit, më 2016, për bashkëpunimin e rinisë – RYCO.
#Nesër #Procesi #Berlinit #Hofreiter #Shqipëria #dhe #Mali #kanë #bërë #përparime
Java News