Çyrbja la mandatin e deputetit, Basha: Rama e detyroi të largohet se iu tundën prangat
Lulzim Basha është i pari nga radhët e opozitës që ka reaguar pas vendimit të ligjvënësit socialist Jurgis Çyrbja për të dorëzuar mandatin e deputetit, vetëm dy ditë pasi u paraqit në SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me një kallëzim të bërë nga PD gjatë kohës që mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrësit.
Ish-kreu i PD, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ngre dyshimet se ka qenë kryeministri Edi Rama ai që ka urdhëruar Çyrbjan të dorëzojë mandatin, ashtu siç ka ndodhur edhe me ministra dhe deputetë të tjerë para tij.
Sipas Bashës, Rama po përpiqet t’i shpëtojë drejtësisë duke shitur të përzgjedhurit e tij në lista, të cilët akuzohen për grabitjen e pronave si drejtues të zyrave të Hipotekës.
“Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjësi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet”, shkruan Basha.
Basha në vijim akuzon kreun e qeverisë se i ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer drejtuesit hajdutë e abuzues të Hipotekave kur i kanë kryer pazaret e kërkuara prej tij.
“Edi Rama e ka ditur mirë dhe çdo ditë se kush kanë qenë krerët e hipotekave, sa hajdutë e sa abuzues janë. Ai vetë i ka caktuar, i ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer kur i kanë kryer pazaret e tij si duhet: Siç bëri me Çyrbjen e hipotekës së Durrësit, i cili pasi i shërbeu Shullazit në zyrë, i shërbeu deri në fund edhe në gjyq. Për këtë Rama vendosi ta bëjë dhe deputet, si përfaqësuesin e bandave të Shijakut dhe Durrësit në parlament. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
/a.r
#Çyrbja #mandatin #deputetit #Basha #Rama #detyroi #të #largohet #tundën #prangat
Java News