Zbrit nga ballkoni Sali dhe udhëhiq mosbindjen civile, ndryshe mos u tall me demokratët
Nga Ergys Mërtiri
Protesta e djeshme e opozitës nuk mund të konsiderohet as mosbindje, as civile.
Mosbindja civile nënkupton një lëvizje ku qytetarët refuzojnë një regjim tiranik dhe, në mënyrë paqësore, rezistojnë ndaj pushtetit të tij duke mos iu bindur institucioneve.
Ndryshe nga kjo, akti i parë i kësaj mosbindjeje civile u zhvillua në mënyrë juridikisht korrekte, me lejë në polici dhe brenda orarit të caktuar. Që këtu, një mosbindje me leje dhe orar, konform një kërkese ligjore tek autoriteti të cilit nuk po i bindesh, prodhon një non sens të thellë.
Por, përveç kësaj, nuk ka kuptim të ftosh popullin në mosbindje civile, kur vetë lideri i mosbindjes, qendron i izoluar në kat të tetë duke iu bindur atij që ai e konsideron gjyq politik kriminal i stisur nga Edi Rama për të vrarë opozitën.
Nëse Berisha kërkon të shtyjë popullin në mosbindje civile duhet të japë shembullin vetë i pari: Të zbresë nga ballkoni në rrugë e t’iu prijë qytetarëve. Por ai nuk e bën këtë sepse së pari, i druhet pasojave për veten e vet dhe së dyti, ai e di shumë mirë që mosbindje nuk ka për të pasur. Nuk ka për të pasur sepse populli nuk është me të pavarësisht se i ka ardhur në majë të hundës me Edi Ramën.
Nga ana tjetër protesta e opozitës nuk ishte as civile, pasi nuk ishte as qytetare, as popullore. Pjesëmarrësit ishin militantë partie që mblidhen në mënyrë të organizuar nga struktura. PD-ja ka me dhjetëra mijëra anëtarë, prej të cilëve mbi 7500 kryetarë seksionesh dhe grup seksionesh, aq sa ç’ishin pak a shumë në bulevard. Kjo do të thotë se populli jopartiak (madje edhe vetë një pjesë e mirë e anëtarësisë së partisë) mungoi në protestë.
Protesta nuk ishte qytetare e popullore as në qëllimet dhe mënyrën e zhvillimit. Ajo nuk reflektoi qytetari në mënyrën sesi u zhvillua dhe as e përfaqësoi dot interesin e qytetarëve në motivet për të cilat u bë. Kjo nuk ishte një protestë për hallet popullit, por për hallet e një personi i cili kërkon të mos dalë para drejtësisë. Madje, edhe parrullat e protestuesve, më shumë se largimin e Ramës, kërkonin të shprehnin mbështetjen ndaj Berishës. Nga “Rama ik”, opozita ka kaluar tashmë në “Berisha rri”.
Për këto arsye zjarret e djeshme nuk e ngrohën dot shpresën për ndryshim. Njerëzit e kuptojnë se ato nuk u ndezën për të vrarë frikën nga regjimi, por për të kërcënuar me destabilizim ndërkombëtarët dhe institucionet që shtyjnë përpara hetimin e bosëve të paprekshëm të politikës. Kjo është edhe arsyeja përse kjo protestë dështoi me turp duke prodhuar indinjatë publike dhe thuajse aspak solidaritet.
#Zbrit #nga #ballkoni #Sali #dhe #udhëhiq #mosbindjen #civile #ndryshe #mos #tall #demokratët
Java News