Berisha, në kërkim të një teze bashkëpunimi me aleatët
Nga Artur Ajazi
Sali Berisha, që duket sikur ka plot halle dhe probleme të veta me drejtësinë, gjen kohë të merret edhe me pragfushatën elektorale. Ai po kërkon të gjejë një tezë bashkëpunimi me aleatët. Këta të fundit, janë të ndarë, dhe nuk janë në një mëndje mes tyre, lidhur me afrimin me Partinë Demokratike. Ditët e fundit PD ka nisur bisedimet për bashkëpunim me aleatët në zgjedhje, por krerët e partive të vogla janë të ndarë, nëse “do të jenë në listat e Berishës apo më vehte”. Kështu Fatmir Mediu kërkon një listë, për të mos humbur vota, ndërkohë kërkon përfaqësim në çdo qark.
Kurse Dashamir Shehi konfirmon “divorc final me PD e Berishës”. Kurse kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është i përzgjedhuri i Partisë Demokratike për të nisur takimet konsultative me aleatët, për formulën e bashkëpunimit në zgjedhjet e 2025. Priten takime intensive me partitë aleate, lidhur me formën e re të bashkëpunimit, pasi jo të gjithë kryetarët e partive të vogla janë të një mendimi me Fatmir Mediun, se “dalja bashkë, forcon pozitat e opozitës”. Por ndërkohë kushti i Mediut për të qenë “bashkë në zgjedhje” është i pakthyeshëm, për “vende të sigurta në lista”.
Ai që refuzon në mënyrë absolute bashkëpunimin me Berishën mbetet Dash Shehu, duke deklaruar se “parimet na ndajnë nga PD e drejtuar nga Berisha, e djathta nuk mund të bëjë armiq, aleatët e saj si SHBA, Europë, Britani”. I vendosur mbetet edhe distancimi i kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi, që në koalicionin me PD në 2021, mori 4 mandate deputetësh. Edhe ai refuzon bashkëpunimin me PD-në në zgjedhjet e 2025. Deri tani, situata nuk mbetet premtuese për bashkëpunimin me aleatët, ndërkohë që i vetmi “optimist” në PD, mbetet Berisha.
Ai mendon se “ka akoma kohë që ne të bëjmë të mundur krijimin e një aleance bashkëpunimi perfekt me aleatët”. Zgjedhjet e vitit 2025, do të jenë ndër më të vështirat në historinë e Partisë Demokratike, për faktin sepse asaj i duhet tanimë, jo të përballet me Edi Ramën (pasi e shohin malore të fortë) por duke bindur të vetët që ti votojnë, dhe aleatët të bashkëpunojnë.
Qëndrimi i gjatë i Berishës në arrest shtëpiak, pazotësia e atyre që ka poshtë ballkonit, për të bërë fushatën e duhur elektorale gjithmonë sipas stilit “berishian”, frika nga rrebelimi i atyre që gjoja “u bashkuan”, sidomos tani në prag të hartimit të listës së re të kandidatëve për deputet, pakënaqësia e të deleguarve në qarqe, si dhe largimi i shumë demokratëve nga partia, mbeten vetëm disa nga shkaqet pse humbja e PD-së në 2025 do të jetë surprizuese.
Por Berisha mbetet ende besimplotë, se “do ta gjejë tëzën e duhur të bashkëpunimit me aleatët”, duke varur më tepër shpresat te Ilir Meta se tek Flamur Noka. Por ajo që mbetet e pandryshuar në opinionin dhe mendimin e aleatëve është kushti i tyre i vetëm, “jo më fushatë me Berishën kryetar PD-je”.
#Berisha #në #kërkim #të #një #teze #bashkëpunimi #aleatët
Java News