Aktualitet

Emri/ Zvarriti mbi 3 vite çështjen, prokurorit të Shkodrës i ulin rrogën për një vit

Prokurorit të Shkodrës, Agron Bushatit i ulin rrogën për një vit pasi zvarriti për mbi 3 vite çështjen.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha ndaj prokurorit u vendos procedim disiplinor me masën “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit” për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë.

Njoftimi i plotë:

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, për magjistratin A.B., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer hetimin disiplinor me nismë të ankuesit V.Q., që i është drejtuar ILD-së me ankesë ndaj prokurorit A.B., për zvarritje mbi 3 vjeçare, në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal për ankuesin.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë rezulton se:

• Magjistrati subjekt hetimi disiplinor ka vonuar në mënyrë të pajustifikuar, për një kohë prej 3 vjet e 9 muaj, nxjerrjen e një akti procedural në shkelje të dispozitave ligjore neneve 462-466 të K. Pr. Penale dhe nenin 49/1 të ligjit nr. 8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale” i ndryshuar.
• Ky mosveprim i prokurorit ka cënuar të drejtat që gëzojnë të dënuarit me burgim. Në rastin konkret trajtimi me status të paraburgosuri cënon ushtrimin e të drejtave që ka i dënuari, së pari ai nuk mund të ushtronte të drejtat e tij për përfitimin e lejeve shpërblyese ose kërkesat për ulje dënimi. Si pasojë e mos nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit shtetasi V.Q. ka kërkuar në gjykatë njohjen si periudhë paraburgimi të periudhës së mosekzekutimit të vendimit. Pas nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit ky shtetas ka përfituar 3 herë ulje dënimi.
• Shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit A.B. janë kryer me pakujdesi, duke qenë prokurori i ngarkuar dhe me përgjegjësinë e zyrës së ekzekutimit të vendimeve penale.
• Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor, rezulton se sjellja e magjistratit subjekt hetimi disiplinor, mund të krijojë terren për sjellje të papërshtatshme, edhe në rastet të tjera të ngjashme.

Nga hetimi disiplinor i ILD konkludohet se veprimet/mosveprimet e magjistratit, përbëjnë shkelje disiplinore që cënojnë figurën e magjistratit dhe besimin e publikut tek drejtësia, dhe i propozohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që prokurorit A.B., t’i caktohet masa disiplinore “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, e parashikuar nga neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

/a.r

#Emri #Zvarriti #mbi #vite #çështjen #prokurorit #të #Shkodrës #ulin #rrogën #për #një #vit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button