Aktualitet

Inskenoi zhdukjen e tij në Pukë, biznesmeni italian: Dua shtetësi shqiptare, jam i gatshëm të vetëdorëzohem!

Biznesmeni italian, Davide Pecorelli që tronditi opinionin publik në Shqipëri dhe matanë detit me historinë e zhdukjes që sajoi për t’ju shmangur borxheve të shumta që kishte akumuluar, thyen heshtjen.

Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit të Top Channel, Mikel Marsi, Pecorelli nuk është dakord me dënimin që kanë dhënë autoritetet shqiptare për mashtrim, por thotë se është i gatshëm të vetëdorëzohet në shtator.

“Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër më dënoi me 6 vite burg, por duhet të vuaj 4 vite me gjykim të shkurtuar. Avokati im e ka apeluar. Të dënohesh gjithë këto vite pa prova të dhëmb, sigurisht sepse nuk ka prova për mashtrim të rëndë. Dhe akoma më shumë më dhëmb që Gjykata e Periugias më ka aprovuar ekstradimin në një burg shqiptar. Por unë nuk do pres të më arrestojnë, të vijnë të më marrin. Do paraqitem vetë, do vij në Shtator në Shqipëri sepse kam frikë nga ardhja e policisë në shtëpi. Për më tepër dënimi do jetë më pak pasi një nga veprat, ajo e kalimit të paligjshëm të kufirit ka rëne për shkak të amnistisë kështu që pritet të vuaj 3 vite e 8 muaj burg.

Davide thotë se në Itali është një qytetar i lirë, se nuk ka probleme me drejtësinë atje. Ai sqaron për Top Channel se ka frikë që kur drejtësia shqiptare do ta nxjerrë të pafajshëm, do ta ketë mbaruar dënimin këtu.

“Unë kam bërë rekurs, por rekursi do kërkojë kohë, do jetë pas 2 apo më shumë vitesh. Unë do jem në burg, do kem bërë 3 apo më shumë vite burg kur të vërtetohet që nuk kam faj. Më akuzojnë se kam dhunuar një varr, kur në Pukë nuk kanë gjetur asnjë varr të hapur ku mungojnë kockat. Sa për priftin që më ka ndihmuar të arratisem nga Shqipëria, nuk do ja them kurrë emrin, pasi nuk dua ta akuzojnë si bashkëpunëtor me mua”.

Biznesmeni habit më tej duke sqaruar se ka nisur procedurat për marrjen e shtetësisë shqiptare. Ai thotë se është i gatshëm që pasi të  mbyllë hesapet me drejtësinë të hapë një biznes të ri në Shqipëri.

 “Unë po marr shtetësinë shqiptare sepse dua te jem një shtetas shqiptar pasi jam martuar me një grua shqiptare. Jam baba i katër fëmijëve dhe dua të kem të njëjtat të drejta me një shqiptar. Pres ta marr shtetësinë shqiptare në muajin dhjetor. Pasi të mbyll kapitullin me drejtësinë, dua të hap një vinotekë sepse gruaja familja e bashkëshortes ka një biznes në Lungomare. Dua ta bëj atë një vend ku pihet raki shqiptare dhe verë italiane , dua te bej nje vend ku pihet raki e vere italiane”

Davide Pecorelli u zhduk në janar të vitit 2021 në Pukë, ku u gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës edhe një skelet të cilin pranoi më pas se e kishte marrë në varrezat e Pukës.

Ndërsa Italia dhe Shqipëria hetonin për fatin e tij më 17 shtator të po atij viti Pecorelli, u shfaq shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, në kërkim të një thesari, ndërkohë që për 9 muaj të gjithë e dinin të zhdukur.

/a.r

#Inskenoi #zhdukjen #tij #në #Pukë #biznesmeni #italian #Dua #shtetësi #shqiptare #jam #gatshëm #të #vetëdorëzohem
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button