Vangjush Dako mohon akuzat ndaj tij në gjykatë: Dua një masë më të zbutur të sigurisë

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka mohuar akuzat e SPAK.
Përpara gjykatës ai ka dhënë sqarime, në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në currila, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.
Sipas Dakos kjo procedurë prokuromi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni.
Burime brenda seancës bëjnë me dije se kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender.
Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie.
Avokati i tij mbrojtës Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e arrestit shtëpiak, detyrim për tu paraqitur, apo edhe garanci pasurore.