Dita e 10-të e barrikadave në veri të Kosovës – Pamje nga veriu
Situatë e njëjtë si ditëve të tjera është parë të jetë edhe sot, në ditën e dhjetë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.
Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës në zonat veriore të venditku është parë që rrugët janë ende të bllokuara.
Pranë barrikadës së vendosur në fshatin Rudarë të Leposaviqit janë parë ekipi i KFOR me automjete të blinduara duke e monitoruar situatën.
Edhe në fshatin Zupçë të Zubin Potokut rruga ka qenë e bllokuar për të vazhduar më andej. Pranë kësaj barrikada janë parë në lëvizje ekipe të KFOR-it.
Në anën tjetër në Lagjen e Boshnjakëve vazhdon monitorimi i ekipeve të Policisë së Kosovës. Në rrugën kryesore të kësaj lagje, që të dërgon në qendrën e Mitrovicës së veriut janë parë ekipe të policisë të cilat janë vendosur në katër vende të ndryshme.
Rrugët e komunave veriore të Kosovës që nga 10 dhjetori i 2022-ës janë bllokuar nga barrikadat që u vendosën e që bënë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimeve kufitare që lidhin vendin me shtetin fqinj Serbinë, Bërnjak dhe Jarinje
Edhe për kundër kërkesave të shumta të institucioneve vendore e edhe të ndërkombëtarëve, barrikadat tash e dhjetë ditë nuk janë larguar. Madje, çdo ditë e më shumë janë shtuar barrikada të reja.
Bllokimi i rrugëve erdhi pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës për arrestimin e ish policit, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për organizim për sulm në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, ku edhe ishin sulmuar zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarët e Policisë.
Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kryerje të veprës penale terroriste.
Përpos bllokimit të rrugëve të veriut të Kosovës, në këto barrikada shpesh herë janë parë edhe qytetarë që janë mbledhur në shenjë rezistence ndaj arrestimit të Pantiq.
Qytetarë të mbledhur me flamuj e thirrje nacionaliste në duar e disa nga ta edhe me maska në fytyrë, u panë duke protestuar ditën e djeshme në pikën kufitare Jarinje në anën e Serbisë.
Protesta e thirrur në ‘mbështetje të serbëve të Kosovës’ kishte filluar në orën 13:00 dhe kishte përfunduar pas më pak se tri orëve.
Protestuesit, që nuk dukeshin më shumë se 100 persona, gjatë protestës, në një moment ia mësynë edhe kufirit për të hyrë në Kosovë, mirëpo të njëjtit u ndalen nga kordoni i Njësisë Speciale të Policisë serbe.
Gjatë protestës së tyre njëri nga ta edhe u arrestua, madje në pamjet që u shfaqën drejtpërdrejtë nga protesta u pa edhe një mjet që u shpërthye.
Në po këtë pikë kufitare në anën e Kosovës misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR kishte krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar. KALLXO.com mësoi se në Jarinje ishin vendosur trupat amerikane të KFOR, ndërsa në Bërnjak ishin vendosur polakët dhe letenozët.
Pas përfundimit të protestës, KFOR kishte treguar se kanë pasur informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinje.
Tensionet në veri filluan të shtohen që nga 5 nëntori 2022 kur në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e gjyqësor.