Aktualitet

“Duopoli është i qartë”/ Basha: PD e ndarë në dy grupe, ai i Berishës dhe ai i karrigeve

Vendimin e Gazment Bardhit që i spostoi ulësen duke e kaluar në rreshtat e fundit në sallën e seancave plenare të Parlamentit, Lulzim Basha e konsideron si luftë për karrige, pjesë e së cilës refuzon të bëhet pjesë. Edhe në këtë sezon politik Basha duket se sulmin e ka më shumë të përqendruar brenda partisë se sa jashtë saj.

“Ajo që sot quhet PD është e ndarë në dy grupe, Sali Berisha me ata që i shkojnë nga pas për të mbrojtur familjen e vet, ndërsa grupi tjetër e kanë nisur për karrige dhe për karrige po vazhdojnë. Natën pasi vërshon uiski, ngrenë dolli për fundin politik dhe biologjik të Sali Berishës, dhe në mendjen e tyre e shohin veten në radhë për suksesion dhe ditën bëjnë gjeste servilizmi për t’i demonstruar besnikëri në funksion të karriges”, tha Basha, raporton A2 CNN.

Bllokimin e nismave të propozuara prej tij dhe mbështetësve të tij në Kuvend, e konsideron si marrëveshje mes Ramës dhe Berishës. Premton se do të marrë pjesë në zgjedhje për të shpërbërë atë që ai e quan duopol, por kur pyetet për mënyrën dhe formën se si do kërkojë votat e shqiptarëve, nuk jep një përgjigje të qartë.

“Sepse duopoli është i qartë, në zgjedhjet e ardhshme është e qartë që kush voton për Edi Ramën vazhdon mban Sali Berishën në krye të opozitës. Kush voton Sali Berishën, mban në pushtet Edi Ramën”, tha Basha.

Pavarësisht se i është bërë e qartë se nuk e duan pranë njerëzve të Sali Berishës, nuk duket ende i bindur që të largohet nga grupi parlamentari Partisë Demokratike. Në këto kushte, gazetarët e pyetën mbi mundësinë e një fraksioni brenda PD. “Të bëhesh fraksion i Sali Berishës, do të thotë të bëhesh fraskion i fraksionit të Edi Ramës dhe kjo s’ka për të ndodhur kurrë”.

Basha premtoi se tashmë me nisjen e sesionit të ri në Parlament do të luftojë për interesat e Euroatlantikëve duke bërë denoncime publike ndaj qeverisë dhe kallëzime konkrete në SPAK.

#Duopoli #është #qartë #Basha #ndarë #në #grupe #Berishës #dhe #karrigeve
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button