Ja kush është prokurori i SPAK që ka firmosur arrestimin e Dakos, prej muash mban pezull hetimet ndaj Ilir Metës

SPAK ka lëshuar ditën e sotme urdhër-arresti për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon së bashku me 8 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe një biznesmen.
Kërkesa e prokurorit Sotir Kllapi është pranuar nga gjykata dhe urdhër-arresti ndaj Vangjush Dakos, është firmosur rreth orës 15:00 nga Gjykata e Posaçme. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një hetim të nisur rreth 1 vit më parë për një procedurë prokurimi si dhe dhënien e lejes së një pallati.
Prokurori Sotir Kllapi ka në dorë dhe fatin e ish-presidentit Ilir Metaj, dhe prej muajsh po mban pezull hetimet. Bëhet fjalë për dosjen e lobimit me para të padeklaruara, kallëzim i bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. Ai do të vendosë nëse do të kërkojë ngritjen e akuzave ndaj Ilir Metës në bazë të provave të mbledhura, ndalimin e Metës apo pushimin e çështjes, ku në fund vendimarrja i takon gjykatës.
Provat që konfirmojnë elementët e veprës penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të formularëve dhe pastrimit të parave, janë flagrante dhe të pakontestueshme, por prej muajsh ai po e mban pezull çështjen.