Shoferja e lë ndezur e shkon në market, vidhet mjeti luksoz në Vlorë. E pëson autori

Një automjet luksoz është vjedhur gjatë mbrëmjes së të hënës në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në shëtitoren e qytetit, pranë një marketi.
Bëhet me dije se shoferja kishte lënë automjetin tip Range Rover ndezur me bllokazh në anë të rrugës dhe kishte shkuar të blinte në dyqan.
Në atë moment, një 35-vjeçar kishte marrë makinën dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Në momention që është kthyer, drejtuesja e mjetit ka lajmëruar e alarmuar policinë.
Pas marrjes së informacionit, policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorit ndërsa falë kamerave të sigurisë nëpër qytet është mësuar edhe itinerari i lëvizjes.
Policia ka mundur ta ndalojë të riun që vodhi makinën në autostradë, pranë fshatit Panaja. 35-vjeçari u arrestua, ndërkohë që materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.