Aktualitet

Kufizimi i shpenzimeve për partitë gjatë fushatës elektorale, KQZ: Gara duhet të jetë fer për të gjitha subjektet politike

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elashani në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua rreth ndryshimeve të proces votimit të fushatës së zgjedhjeve në Kosovë që do të mbahen me 9 shkurt 2025, të caktuara nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai tha se për herë të parë është bërë ndryshimi i kufizimit të shpenzimeve të fushatës për subjektet politike, si dhe siç thotë ai për këtë vlerë, kanë konsideruar si mundësi që të gjitha partitë politike të bëjnë deklarime reale të shpenzimeve.

“Për herë të parë kemi ndryshuar kufzimin e shpenzimeve të fushatës për subjektet politike, norma e caktuar në të kaluarën ka qenë në vlerë prej 0.50 cent për votues, tash kjo vlerë është rritur në 1 euro për votues. Këtë ndryshim e kemi bërë nisur nga përvojat e vendeve perëndimore të cilat krijojnë parakushte që gara të jetë ‘fer’ për të gjitha subjektet politike. Poashtu kemi konsideruar se vlera e rritur u mundëson të gjitha partive politike të bëjnë deklarime reale të shpenzimeve dhe të mos cyten në fshehje të raportimeve të shpenzimeve”, deklaroi ai.

Tutje ai për lehtësimin e procesit të regjistrimit dhe votimit për votuesit jashtë vendit tha se ka disa aspekte pozitive.

“Lehtësimi i procesit të regjistrimit dhe votimit për votuesit jashtë Kosovës ka ardhur si rezultat i reformës zgjedhore të kryesuar nga Abelard Tahiri. Ky lehtësim dhe ndryshim i procesit, konsideroj se ka disa aspekte pozitive si: Ofron një qasje më të lehtë për regjistrim si votues jashtë Kosovës, lehtëson menaxhimin e të dhënave nga KQZ, siguron se votuesit votojnë personalisht, pra redukton rastet e manipulimit të votave nga jashtë, sic ka ndodhur në të kaluarën. Sa i përket numrit të votuesve, kjo varet nga fushata e subjekteve politike. Pra nëse qytetarët kanë motiv për të votuar për ndonjë parti, pra është relative”, theksoi ai.

Elshani për ndryshimet në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë të një subjekti politik, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara tha se është çështje më e komplikuar.

“Çështja e rritjes së numrit të votave në 10 kandidatë, është cështje më e komplikuar. Për kandidatët e rinj, pa një shtrirje në strukturë partiake, kjo u mundëson një hapësirë më të madhe për të marrë vota. Mirëpo në anën tjetër për votuesit do të jetë më e vështirë dhe më e gjatë koha e votimit, meqë duhet të mbajnë mend 10 numra të kandidatëve. Në përgjithësi rritja e numrit në 10 kandidatë, do të afektoj pozitivisht të gjitha partitë, meqë gara e brendshme mund të sjellë në pah deputetë që kanë reputacion të mirë, e që nuk kanë bazë të fortë në strukturë partiake”, përfundoi anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani.

//



#Kufizimi #shpenzimeve #për #partitë #gjatë #fushatës #elektorale #KQZ #Gara #duhet #të #jetë #fer #për #të #gjitha #subjektet #politike
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button