Aktualitet

William Burns dhe vizita surprisë në Ballkan!

Nga Azgan Haklaj

Për këdo vizita e kryeshefit të agjensisë më të madhe të inteligjencës në botë CIA, nuk ishte as vizitë kortezie dhe as vizitë rutinë pune.

Ishte për syrin dhe mendjen e ç’do analisti e vezhguesi një inkursion i hapët presioni në vendet dhe drejtuesit problematikë të rajonit tonë, Dodik, Vuçiç, e në stilin e vet të kokëfortësisë edhe Albin Kurti, të cilët kanë demostruar veprime që bien ndesh me strategjinë dhe interesat amerikane në Ballkan.

E kur është fjala për Serbinë dhe Bosnjen nuk është aspak e fshehtë se Rusia ka shtrirë tentakulat e saj gjerësisht duke rrezikuar përshkallëzimim e transferimin e një konflikti ballkanik.

Pra pikërisht në këtë fazë delikate, parë dhe në kontekstin e avancimit ukrainas në territoret ruse dhe pritjen e një reaksioni të rezikshëm nga Putin, Shefi i CIA-s me porosi të veçantë nga Presidenti Biden dha ultimatumet e qarta verbalisht e sy me sy.

Efektet e këtyre mesazheve ranë mënjëherë në sy nga prononcimet krejt te zbutura e të qullta të Milorad Dodik e Aleksander Vuçiç të cilët kohët e fundit haptas po projektonin “botën e madhe të përbashkët serbe” duke ëndërruar një perandori hegjemoniste serbo -sllave në gadishull.

Kaq të forta kanë qënë mesazhet e paralajmërimet amerikane të z. Burns saqë liderët serb u bënë qesharakë me deklaratat e tyre nën hutim e nguti pas takimit duke thënë “se ishte biseduar për probleme e relacione ekonomike e infrastrukturore…!?”. Natyrshëm fakti që edhe pas takimit të shefit të CIA-s me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Kurti u detyrua të braktisë Konventën e Demokratëve në Çikago dhe të udhëtojë urgjentisht për Prishtinë ka domethënien e vet.

Nga aleatët e amerikanëve në rajon Albin Kurti duket se është më i shenjuari për tu penalizuar.

Eshtë kohë e vështirë ndaj SHBA-të nuk lënë hapsira për shaka të hidhura dhe teka populiste nga aktor të vegjël por mitomanë.

Këtë shije ja dhanë ta provojë edhe Edi Ramës, i cili u poshtërua publikisht duke mos marrë asnjë ftesë prezencë në Konventën e Partisë Demokratike të SHBA-së.

Por ajo që bie ne sy dukshëm është situata e rëndë e me shumë konflikte aktuale e të tjera të pritshme ku SHBA-të kontrollojnë e afrojnë aleatët si dhe paralajmërojnë të lekundurit e kundërshtarët duke ju treguar vijën e kuqe.
E kohët kanë treguar që SHBA-të nuk tolerojnë aspak kur kanë dizenjuar vijën e kuqe.

Z.Burns natyrisht në këtë vizitë kuptimplote nuk harroi të vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ku ka shenja të qarta të influencës ruse.

Mirëpo duke qënë anëtare të NATO-s ato kalojnë përmes filtrash të tjerë ku natyrisht SHBA-të kanë rol parësor.
Por nuk janë aspak për tu neglizhuar qëndrimet e VMRO-DPNE-së e cila që në embrion paraqitet si faktor destabilizimi pro rus.

Akoma më e rëndë është situata në Malin e Zi ku kryetari i parlamentit është kthyer në zëdhënës i Kremlinit.

Edhe në Tiranë megjithë përbetimet propagandistike situata e marrdhënjeve me aleatin tonë strategjik nuk është në normalitet.
Një qeveri e korruptuar, me delikte të rënda deri ne Washington ka rinovuar aleancën me non gratën amerikane Sali Berisha për të penguar organet e drejtësisë së re të sponsorizuar nga aleatët euroatlantikë.

Pra Burns ku ishte dhe ku nuk ishte fizikisht në rajon la mesazhe që duhet të përkthehen saktë.

Një gjë vlen gjithmonë të kujtohet:

Partneri më i besueshëm i SHBA-ve jo vetëm në Ballkan është Kombi Shqiptar.

Ata politikanë dritëshkurtër që mendojnë ta keqpërdorin këtë fakt të njohur botërisht për interesa meskine e korruptive dhe ta privatizojnë gabojnë rëndë ata thjesht presin radhën për tu rreshtuar me non gratat e pakthyeshme.

Në një botë që zien nga ethet e konflikteve e luftës detyra parësore e një lidershipi të përgjegjshëm politik në rastin e një vendi pa peshë vendim marrje kontinentale si vendi ynë është jo vetëm të njësojnë politikat e praktikat e tyre me ato euroatlantike por të demostrojnë seriozitet e qëndrueshmëri dhe jo të bëjnë karshillëk autokratik e korruptiv nën shembujt Putin-Erdogan.

#William #Burns #dhe #vizita #surprisë #në #Ballkan
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button