14 vatra zjarri gjatë 24 orëve në Shqipëri: 3 aktive në Delvinë, Gjirokastër e Dibër

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në #AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 3 vatra zjarri.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se këtë të premte, puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq. Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.
Ministria falenderon të gjithë efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor e forcave vullnetare që po luftojnë prej disa ditësh me flakët.
/a.r
#vatra #zjarri #gjatë #orëve #në #Shqipëri #aktive #në #Delvinë #Gjirokastër #Dibër
Java News