“Reporterët pa kufij”: Shqipëria në vendin e fundit në Evropë, Kosova me rënien më domethënëse
Në 3 majin e çdo viti, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata që mbron lirinë dhe të drejtat e gazetarëve, “Reporterët pa kufij” (RSF) publikon Indeksin e Lirisë së Shtypit në botë.
Këtë vit, Shqipëria renditet e fundit në Evropë.
Drejtori i Seksionit Evropa dhe Ballkani Perëndimor në organizatën “RSF”, Pavol Szalai, në një intervistë me DW, tha se gazetarët në Ballkanin Perëndimor po përballen me sulme, presion e dhunë fizike në punën e tyre.
Ai theksoi se në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, liria e shtypit është përkeqësuar.
“Rënia më domethënëse është në Kosovë, me -8.19 pikë, duke rënë 19 vende në Indeks”, deklaroi Szalai.
DW: Z. Szalai, 3 Maji është ditë e rëndësishme për lirinë e shtypit. Si e konsideroni situatën e medias në Ballkanin Perëndimor?
Pavol Szalai: Në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, liria e shtypit është përkeqësuar. Rënia më domethënëse është në Kosovë, me -8.19 pikë, duke rënë 19 vende në Indeks. Rënie më pak e ndjeshme shënohet në Maqedoninë e Veriut, me vetëm -0.57 pikë, i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që këtë vit lëviz me 2 pozicione më sipër në listë, krahasuar me vitin e kaluar. Arsyeja është sepse përkeqësimi në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është më i fortë. Serbia dhe Shqipëria kanë ndryshuar kategori në hartën e Indeksit, duke kaluar nga “problematike” – e cila është kategoria e tretë nga 5 të tilla – në zonën “e vështirë”, që është kategoria e katërt. Këto dy vende renditen të fundit në listën e shteteve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, liria e shtypit në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë ka rënë në nivelet më të ulëta, që nga krijimi i Indeksit të Lirisë së Shtypit në vitin 2002, kohë kur renditeshin gjithashtu në nivelet më të ulëta. Shqipëria renditet e fundit në listën e zonës Evropë-Ballkan.
Më konkretisht, Indeksi për vitin 2024 tregon se Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 36-të, duke u rritur me dy pozicione, Mali i Zi në vendin e 40-të, duke rënë me 1 pozicion, Kosova në vendin e 75-të, duke rënë me 19 pozicione, Bosnjë-Hercegovina në vendin e 81-të, duke humbur 17 pozicione, Serbia në vendin e 98-të, ka humbur 7 pozicione, dhe Shqipëria në vendin e 99-të, duke humbur 3 pozicione.
Rritja e nacionalizmit në rajon ka pasur një ndikim negativ në lirinë e shtypit, duke ndikuar të gjithë rajonin. Në Serbi, partia qeverisëse dhe mediat pro-qeveritare kanë përparuar në sulmet ndaj gazetarisë së pavarur. Në kontekstin e tensioneve me Serbinë, gazetarët në Kosovë janë përballur me sulme të shumta fizike. Qeveria në Prishtinë ka ushtruar presion të padrejtë ndaj medias publike, si dhe asaj private. Në Republikën Serbe në Bosnje Hercegovinë (Republika Sërpska), presidenti nacionalist i së cilës sulmon vazhdimisht gazetarët, është rikthyer dënimi për shpifjen dhe po diskutohet ligji i “agjentëve të huaj”, duke vënë në shenjestër edhe median. Por edhe në dy shtetet që kanë rezultatet më të mira në rajon, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, liria e shtypit gjatë vitit 2023 u minua nga presionet e politikës dhe gjyqësorit ndaj medias.
Sanksionimi i krimeve ndaj gazetarëve dhe mbrojtja e tyre nga sistemi gjyqësor mbetet një sfidë madhore për të gjitha shtetet. Nga njëra anë, Jovo Martinoviq në Malin e Zi u lirua përfundimisht nga akuzat e rreme, dhe agresorët e Milan Jovanoviqit në Serbi u dënuan. Por nga ana tjetër, vendimi përfundimtar gjyqësor për vrasjen e gazetarit serb Sllavko Çuruvija është dështim.
Informacioni i besueshëm në Ballkanin Perëndimor kërcënohet gjithashtu nga propaganda ruse, teksa integrimi në Bashkimin Evropian – i cili tashmë ka në fuqi “European Media Freedom Act” – mbetet një mundësi e mirë për zhvillime pozitive.
DW: Nga se rrezikohen gazetarët në Shqipëri?
Pavol Szalai: Liria e media në Shqipëri, vend kandidat i Bashkimit Evropian, kërcënohet nga konflikti i interesit i pronarëve të medias, presioni politik, korniza ligjore e pamjaftueshme dhe sulmet ndaj gazetarëve. Të gjithë këto faktorë çojnë në një vetë-censurë të fortë. Përkeqësimi i të gjithë treguesve të Indeksit tregon që këto probleme janë thelluar dhe më tepër. Në veçanti, dobësimin e madh të treguesit të sigurisë e pasqyron vrasja e rojës së sigurisë së Top Channel, Pal Kola, në ngjarjen e sulmit me armë ndaj godinës së televizionit në mars të vitit 2023. Presioni i gjyqësorit u thellua më tepër nga përpjekjet e jetike dhe pjesërisht të paligjshme ndaj gazetarit Elton Qyno, të cilit iu kërkua të tregonte burimet e tij.
Sistemi i mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe së drejtës për informim ka nevojë për reforma të thelluara që duhen ndërmarrë pas konsultimeve në shkallë të gjerë. Në prill të këtij viti, RSF organizoi së bashku me Këshillin Shqiptar të Medias, me praninë e kreut të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, një konferencë për të drejtën e informimit në Shqipëri, e cila shtroi terrenin për rekomandimet e ardhshme të politikave, adresuar autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Rekomandimet, të hartuara me Këshillin Kombëtar të Medias e gazetarët vendas dhe që do të publikohen në qershor të këtij viti, do të adresojnë çështjet e ngritura nga profesionistët e medias në Shqipëri, siç janë: aspekte të ndryshme të sigurisë së gazetarëve, nga sulmet fizike deri tek fushatat që përpiqen të njollosin dhe t’u mbyllin gojën punonjësve të medias (paditë SLAPP); zbatimi i paplotë i legjislacionit për marrjen e informacionit dhe ruajtjen e konfidencialitetit të burimeve të gazetarëve; mungesa e një sistemi të qëndrueshëm financiar, që përzihet me të drejtat e autorit dhe tregun e reklamave; përqëndrimi i mediave kryesore në duart e pronarëve të cilët e përdorin shtypin si mjet të ndikimit ekonomik dhe politik, shoqëruar kjo me mungesë transparence të fondeve; nivel i ulët i pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias dhe medias publike; shkeljen e etikës gazetareske dhe besimin e publikut ndaj medias.
DW: Pak javë më parë, Parlamenti shqiptar votoi pro ngritjes së Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, me pretendimin se do të luftojë ndërhyrjen e shteteve të huaja dhe dezinformimin. Ky Komision është parë me skepticizëm nga gazetarët dhe njohësit e medias në vend. Cili është opinionin juaj në lidhje me këtë komision?
Pavol Szalai: Ne jemi të shqetësuar nga krijimi i Komisionit të Posaçëm për Dezinformim, i cili ka për qëllim të adresojë gjithashtu përmbajtjen e prodhimeve mediatike. Gazetarët shqiptarë kanë pasur përvoja të këqija me ligjin kundër shpifjes, i cili synonte gjithashtu rregullimin e përmbajtjes, por kërcënoi lirinë e mediave. Edhe pse është e ligjshme të luftosh dezinformimin, kjo përpjekje nuk duhet të jetë një pretekst për të imponuar kontroll politik mbi median dhe nuk duhet të jetë në dëm të lirisë së mediave. Komisioni duhet të ftojë një spektër të gjerë të përfaqësuesve të gazetarëve dhe mediave për të dhënë mendimin e tyre. Masat duhet të ndërmerren pasi të jenë marrë edhe opinionet e profesionistëve të medias. Ata duhet të frymëzohen nga praktikat më të mira evropiane. /DW
#Reporterët #kufij #Shqipëria #në #vendin #fundit #në #Evropë #Kosova #rënien #më #domethënëse
gazetablic.com