Aktualitet

Paralajmërimi i Sveçlës për sulme nga Serbia/ Berisha: Vuçiq ka kërcënuar, po pret kohën e duhur – ka përqendrimin te veriu

Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar sulme të reja nga Serbia.

Ai ka thënë se 400 ekstremistë serbë po trajnohen në kufi me Kosovën dhe janë të gatshëm për sulme me një urdhër të Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me këto paralajmërime, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, njëherësh anëtar i komisionit për siguri, thotë se Vuçiq po tenton ta mbajë në tensionin rajonin me përqendrim veriun, që ta pavarësojë atë dhe ta bashkojë Republikën Serbe me Serbinë.

“Vuçiq me çdo mjet e formë politike po provon ta mbajë në tension rajonin me pikë përqendrimi në Veriun e Kosovës, me shkas që në këto tensione, të arrijë një qëllim tjetër, që së paku, ta pavarësojë dhe bashkojë Republikën Serbe me Serbinë, duke e shfrytëzuar situatën e favorshme që po i krijon atje Dodiku, një udhëheqës i ekstremit ultranacionalist i proklamuar tanimë si armik i demokracisë, paqes e lirisë. Prandaj, krejt këto kriza të krijuara në Kosovë, janë vetëm për të kamufluar qëllimin e tij (Vuçiqit) për Bosnjën, sepse Serbia e di se Kosova është e pavarur, dhe e paprekshme”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Deputeti thekson se Kurti së fundi kërkoi shtim të trupave të NATO-s, ndërkohë që thotë se Kosova është e pavarur dhe merr vendime të pavarura.

“Kjo, jo vetëm për shkak të NATO-s, por edhe për shkak të faktorit shqiptar dhe forcave që tani kanë shqiptarët për t’iu përgjigjur Serbisë. Por, së fundmi, Kurti kërkoi trupa shtesë nga NATO, për shkak të rrezikut nga Serbia, por njëkohësisht shtiret dhe “argumenton” (në fakt zhurmë bën dhe nuk ofron argumente), se Kosova është e pavarur dhe duhet të merr vendime të pavarura e sovrane, dhe së është përfaqësues i Kosovës e jo i ndërkombëtarëve!!!”, thotë Berisha.

Ai vlerëson se Kurti edhe policisë tani po ua bën të pamundur  operacionet, për çka thotë se ka rënë në kurth.

“Kurti me veprimet e tija, deri më sot, ka bërë që jo veç FSK që ka një dakordim të urdhëruar nga KFOR, që nga viti 2013, për koordinim me PUN/ KFOR, që ka përgjegjësinë për ambientin e sigurt dhe paprekshmërinë e kufijve të Kosovës, por tani edhe Policisë së Kosovës, njësive elitare për operacione speciale, po ia bën të pamundur të jetë operacionale në territorin kushtetues të Kosovës

Ky është kurth që ka ra ky, dhe kur nuk e ke as Policinë tënde atje, e për inteligjencë e dimë ku jemi, Vuçiq do të ndjehet i inkurajuar në qëllimin e tij destabilizues, padyshim se mbase i armatos, stërvitë e vë në veprim me aksione asimetrike edhe “little green men””, potencon deputeti për Gazeta Blic.

Tutje, ai shton se Vuçiq ka kërcënuar Kosovën dhe po pret kohën e duhur, teksa thekson se Serbia është akteri destabilizues në rajon.

“Vuçiq e ka kërcënuar Kosovën drejtpërdrejt “vetëm po e pret kohën e duhur”. Ne na duket se në shekullin 21, dhe pas asaj që ka ndodhur në 1990 e tutje, pjesë e secilës ka qenë edhe Vuçiq, nuk është racionale me i hy prapë ndonjë konflikti. Por ndikimi i masës, borxhet/obligimet ndaj Rusisë, ushqimi i ultra-nacionalizmit, përfshirë këtu edhe aspektin shpirtëror/fetar që e ushqen kisha serbe, nuk është për t’u hedhur poshtë asnjë teori. Kisha Serbe, jo vetëm frymëzon por edhe bën politika të sigurisë, në një formë e bekoi luftën për kthimin e Kosovës. Kur Vuçiq thotë do armatosemi të mbrojmë veten kjo duhet përkthyer se përgatitet për ndonjë sulm jo-konvencional. Përndryshe, nga kush ka nevojë të mbrohet Serbia?! Po ashtu, NATO ka paralajmëruar destabilizim dhe ka dërguar trupa shtesë në Kosovë. Po nga kush të mbrohet Kosova dhe stabiliteti rajonal? Këtu del në pah se akter destabilizues në rajon është Serbia”, deklaron deputeti i PDK-së, Hisen Berisha./Gazeta Blic/



#Paralajmërimi #Sveçlës #për #sulme #nga #Serbia #Berisha #Vuçiq #kërcënuar #pret #kohën #duhur #përqendrimin #veriu
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button