Mallkimi i kreut dhe e zakonshmja, ja përse Bajerni e ka titullin në… “xhep”

Triumfi i njëpasnjëshëm nga kampi i Bajernit në Bundesligë të jep pasqyrimin sikur ideatorët e kanë ndërtuar trofeun vetëm për bavarezët, ndonëse në të garojnë edhe 17 rivalë të tjerë në letër. Marrë në konsideratë “bashkëjetesën” e shkurtër të Dortmundit me kreun, më poshtë po ju paraqesim me disa nga statistikat se përse ekipet që ia kanë marrë përkohësisht “fronin” Bajernit nuk ia kanë dalë.
SEZONI AKTUAL- Në javën e 6-të të ligës Fraiburgu “grabiti” kreun, vetëm pas një jave ata e humbën dhe mundësinë për t’u rikthyer sërish në majë. Të njëjtin fat të hidhur e pësoi edhe Union Berlini, ku disfata 0-5 karshi Leverkusenit i ktheu me këmbë në tokë rreth pretendimeve. Bavarezët kanë mbajtur vendin e parë në 20 javë nga 30-të të zhvilluara, e përkthyer në kuotën e 75%.
SEZONI 2020-’21- Në këtë periudhë gjigantët nga Mynihu e humbën vetëm në dy raste përgjatë 34 javëve pozitën e liderit. Lajpcigu nuk ia doli të rezistonte gjatë, si përfundim Bajerni u shpall kampion me një diferencë prej 13 pikësh nga “demat”.
SEZONI 2019-’20- Borusia Dortmund, Borusia M’Gladbah dhe Lajpcigu e shijuan udhëheqjen në Bundesligë në hapësirë modeste kohore, ama fundi mbeti i njëjtë, Bajerni kampion. 16 javë kuota që rekordmenët qëndruan mbi të tjerët në klasifikim (më pak se 50%), ndonëse e mjaftueshme në “blindimin” e trofeut.
HUMBJET- Disfatat e skuadrës nga “Allianz Arena” janë interpretuar nga mediat dhe analistët si krizë e paprecedentë. Statistikat nga krahu tjetër falsin për një Bajern të zakonshëm, ndryshe nga sa është “gatuar” nga raportimet.
Nëse u referohemi numrit të humbjeve, pas javës së 30-të, të besuarit e Tuhelit kapin numrin 4. E njëjta panoramë zë rrënjë edhe në sezonin 2019-’20, ku ata regjistrojnë kuotën 4 të disfatave. Madje në periudhën 2021-’20 ata shkuan deri në 5 humbje dhe sërish nuk e patën problem të ngrinin trofeun e kampionit. /Panoramasport