Aktualitet

Problemet e pensioneve/ Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore thirrje qytetarëve: Mos bini pre e pagës në dorë

Në episodin e radhës të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, projekt i qendrës FOL i mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane në Tiranë që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, tema e diskutimit ishte “Odisea e pensionistëve”.

Astrit Hado, kreu i institutit të sigurimeve shoqërore thotë se problemi i dokumenteve me pensionet nuk nis nga ky institucion, por se mbas mbylljes së kooperativave dokumentet fillimisht u ruajtën nga këshillat dhe gjatë tranzicionit kaluan pranë arkivave.

Mbas vitit 2000 Instituti i Sigurimeve Shoqërore i disponon këto dokumenta. Ai tregon ish kooperativat më problematike, të djegurat dhe arshivat, por edhe lidhja e Shkrimtarëve. Hado tregon edhe fenomenin e pensionistëve fantazmë, të cilët nuk ekzistonin por persona të tjerë përmes një skeme mashtruese kanë përfituar pensione.

Në prokurori janë referuar 4500 dosje të tilla. Problemi tjetër lidhet me subjektet private, një fenomen i mbas 1994 , të cilët mashtrojnë qytetarët që punojnë duke mos derdhur kontributet. Nga ana tjetër përmend pensionet e deputetëve , të cilët marrin një pension prej gati 1 milionë e 500 mijë lekë( të vjetra).

Anila Hoxha: Jemi në studio me drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore zotin Astrit Hado. Pyetja ime e parë z. Hado është përse kaq shumë qytetarë që kanë hapur konflikte gjyqësore?

Astrit Hado: Gama e problematikave që ka Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në fakt është e madhe , është e gjerë, që fillon që nga  mosnjohja e periudhave të vjetërsisë në punë, periudhës së komunizmit ose mosnjohjes së periudhave të sigurimit pas viteve 1994. Pasi pas viteve 1994 në bazë të ligjit nuk konsiderohet më periudha vjetërsi në punë por quhet periudhë sigurimi që do të thotë do konsiderohet periudhë sigurimi vetëm periudha në të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.Ka edhe problematika të natyrave të ndryshme pastaj që kanë të bëjnë me mënyrën e llogaritjes së pensioneve me njohjen apo me mosnjohjen e të drejtave. Kështu që pasi kalojmë të gjithë shkallët e e ankimit administrativ që janë përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, gjykata është e vetmja ose më saktë është rruga e fundit ku qytetarët përplasen. Përgjithësisht shumicën e çështjeve gjyqësore ne i kemi për mosnjohjen e vjetërsisë në punë, periudhës së komunizmit. Por tashmë në fakt po na shtohet edhe numri i çështjeve gjyqësore për mosnjohjen e periudhave të sigurimit pas viteve 1994 .

Anila Hoxha: Në fakt, shifra e qytetarëve që presin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë apo edhe në 2 gjykata të shkallës së parë administrative të Tiranës dhe të Lushnjës janë shifra të larta. Ky fenomen ka vite që vërehet në gjykata dhe që pranohet edhe nga vetë gjyqtarët. Megjithatë që të shpjegojmë për publikun përse ne vazhdojmë ende të kemi të trajtuar gjyqësisht cështjet e mosnjohjes në vjetërsi në punë. Nga u shkaktua kjo problematikë?

Astrit Hado: Kemi iniciuar në fakt, kemi miratuar dy vendime të qeverisë të cilët i japin të drejtë Institutit të Sigurimeve Shoqërore që ti zgjidhë në mënyrë administrative një pjesë të mirë të rasteve të mosnjohjes të vjetërsinë në punë, të periudhës së komunizmit, para viteve 1994 dhe duke zbatuar procedurën administrative të ankimimit, ne zgjidhim një numër të konsiderueshëm rastesh . Raste të cilët nuk kanë asnjë mundësi që të zgjidhen në mënyrë administrative, ngelet si mënyra e vetme vetëm zgjedhja gjyqësore, pra rastet që ne veçojmë në gjykatë ose që qytetari i drejtohet gjykatës janë raste të cilat nuk ka asnjë lloj dokumenti që të provojë faktin që ata kanë punuar, gjatë asaj kohe, ose janë raste të cilat kanë ndryshime gjeneralitetesh totalisht. Dmth. nuk është se është shkurtim po themi “Astrit” me “Titi” por është ndryshim komplet emri. Ose kemi raste psh. që qytetarët ne i gjejmë nëpër regjistra të ish-koorperativave bujqësore apo ish ndërmarrjeve shtetërore, ndërkohë që qytetari ka një librezë e cila është e dyshueshme që pretendon se ka punuar në një punë po themi minator nën tokë,  ose ka punuar metalurg që ka qenë puna e kategorisë së parë. Ndërkohë që dokumentat që ne kemi vërtetojnë që ai ka punuar në një punë të zakonshme që është punë e kategorisë së tretë. Dhe qytetari pretendon se duhet të dalë më herët në pension. Sepse unë kam punuar në minierë.

Anila Hoxha: Zoti Hado, gjyqtari Dvorani theksoi gjatë intervistës në këtë podcast se realisht është shteti përgjegjës për mbajtjen e dokumentacionit . Pse duhet të këmbngulet kaq shumë nga ana e një institucioni shtetëror kur ai vetë është si një institucion përgjegjës për ti arshivuar dhe ruajtur ?

Astrit Hado: Sigurisht që Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për arshivimin dhe ruajtjen e dokumentacionit por duhet të kemi parasysh që në këto 30 vjet tranzicioni nuk ka qenë poseduesi apo zotëruesi i dokumentacionit Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Dmth. dokumentacioni i vjetërsisë në punë të kohës së komunizmit në fakt ka ndërruar disa duar në momentin që janë mbyllur apo kanë falimentuar koorperativat bujqësore ky dokumentacion fillimisht është ruajtur pranë pranisë së  këshillave popullore që kanë qenë pastaj ka kaluar në varësi apo në pronësi të arkivës shtetërore ( të themi ) dhe pastaj rreth viteve 2000 e ca ka kaluar në zotërim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Dmth. ne kemi marrë në zotërim dhe në posedim dokumentacion arkivor të cilin na është vënë në dispozicion.

Anila Hoxha: Pse duhet që qytetari në finale kur pret që ti njihet vjetërsia në punë dhe ti garantohet marrja e këtij pensioni ai duhet të kalojë edhe një vështirësi tjetër?

Astrit Hado: Me çfarë të drejte , ne mund të paguajmë para për një individ i cili nuk ka asnjë lloj gjurme dhe asnjë lloj dokumentacioni që ne t’ia japim këtë të drejtë. Kemi goxha regjistra që kemi në zotërim të cilit në fakt kanë gabime të karakterit kanë emra të shkurtuar , janë regjistra pa mbyllur, kanë vetëm datën e fillimit dhe nuk kanë datën e largimit nga puna dhe në këto raste me dokumenta të tjera ne këto nuk i cojmë në gjyq por i zgjidhim në mënyrë administrative që dmth. Nqs. qytetari e ka librezën e vjetër të punës dhe e ka regjistrin me datë fillimi dhe nuk e ka me datë mbylljeje , sigurisht që ne e marrim të mirëqenë. Çmund ti bësh një qytetari që thotë që unë kam punuar në koorperativa,  marr një shembull po them në koorperativa Mëzës. Kur i kontrollon të 10 regjistrat e koorperativave Mëzes nuk e ka emrin fare. I kontrollon të gjithë borderotë që ne mund të kemi në dispozicion dhe nuk i del emri fare në 10 vjet  dhe nuk ka asnjë lloj dokumenti që të ketë . Ose si mund tia njohësh vitet e punës një personi i cili thotë që unë kam  punuar në koorperativën bujqësore Thumanë e cila është e djegur  në fakt, dokumentat e koorperativës Thumanë janë djegur kur i shikon certifikatën familjare 6 fëmijët e vet i ka lindur në Kukës ose në Dibër.

Anila Hoxha: Ne duhet të kemi parasysh edhe dicka tjetër. Për të përsëritur se cfarë tha z. Dvorani , qytetari nuk është përgjegjës për shumë zhvillime sa i takon zhdukjes së dokumentave. Meqënëse ishim tek 1997, arshivat e Thumanës dhe shumë qyteteve të tjera është shkatërruar në atë kohë apo jo? Kjo solli  një vështirësi për cdo qytetar i cili i duhej të përballej për të kërkuar të drejtën e tij përfshirë edhe të drejtën e pensionit. Pse duhet ai qytetari nga Thumana , pavarësisht se ka krijuar familjen në Kukës tju vërtetojë Ju, që ka qenë vërtet dhe ka punuar në koorperativë. Provojeni ju që nuk ka punuar.

Astrit Hado: Këtë i themi.Përderisa ju i keni lindur të gjashtë fëmijët është grua dhe i ke lindur të gjashtë fëmijët në Kukës , nuk ka shanse që të punojë ajo në koorperativën e Thumanës. Nqs. se ju i keni lindur të 6 fëmijët , të gjashtë në Kukës, në kohën e komunizmit nuk lejohej që të punoje nga rrethi në rreth po nuk kishe pasaportizimin , nuk ka shance që ti të kesh qenë e punësuar për 10 vjet në koorperativën e Thumanës.

Anila Hoxha: Pse mos të jetë e drejta në favor të kësaj shtetaseje ?

Astrit Hado: Sepse nuk ka asnjë lloj dokumenti që ta provojë një gjë të tillë dhe ne kemi të drejtën e dyshimit. Se përsa i takon koorperativave të djegura, ne i kemi zgjidhur 3-4 vjet tashmë ne kemi nxjerrë një vendim qeverie. Ne propozuam dhe qeveria miratoi që të gjithë koorperativat e djegura ne nuk i çojmë më në gjyq , ne thjesht iu kërkojmë disa dokumenta, një pjesë e tyre i verifikojmë vetë . Kemi faktin që a kanë qenë anëtarë të koorperativës deri në shtator 1991 kur koorperativat u mbyllën?  A kanë marrë tokë sipas ligjit 7501 dhe fakti që ata kanë marrë tokë sipas ligjit 7501 dmth. që kanë  qenë anëtarë të koorperativave dhe ua “dhurojmë” të gjithë periudhën që  nga mosha 14 vjeç deri në shtator 1991.

Anila Hoxha: Cilat janë qytetet që ju i vëreni që janë më problematike për skemën e pensioneve, bazuar në paditë dhe konfliktet gjyqësore?

Astrit Hado: Më problem janë përsa i përket koorperativave bujqësore është Shkodra që ka problematikë sa i përket mënyrës së mbajtjes të dokumentacionit, Tiranës, sigurisht sepse ka shumë ndërmarrje psh. është ndërrmarrja Gjergj Thimto që ka problematikë , është “Autotraktorët”, është miniera “e Valiasit”,  që ka një numër të madh , është ndërmarrja e ndërtimit “Josif Pashko”, se edhe ajo janë djegur , Dibra, Kukësi dhe Korca deri diku, Mëzesi, Krraba që kanë problem.Sepse është edhe problemi i falsifikimit, një numër të madh të gjyqeve është problemi i falsifikimit që njerëzit mund të kenë punuar 5-6 vjet në këtë minierë dhe pjesën tjetër kanë punuar në koorperativë ose në ish ndërrmarrjet e tjera dhe për të përfituar nga statusi i minatorit se dalin 5-10 vjet më herët kanë falsifikuar regjistrin e minierës ndërkohë që mënyra e mbajtjes së dokumentacionit në atë kohë ka qenë ndryshe. Astrit Hado: Ne në vitin 2007 deri nga viti 2008, ne bëmë një auditim të të gjithë dosjeve të pensionit të lidhura nga viti 1997  deri në 2007 dhe kemi kontrolluar rreth 100.000 dosje të pensioneve urbane , sepse pensionet e koorperativës nuk kishte falsifikim sepse interesi ishte të kaloje nga pensioni koorperativë në pension shteti sepse ishte dyfish pensioni i shtetit me koorperativën në atë kohë dhe ne kemi prerë në atë kohë diku tek 5000-6000 pensione. Për shkak të këtyre që thashë dublimeve të vjetërsisë në punë, kalimi nga koorperativa në shtet dhe me falsifikim datëlindjesh dhe të gjithë këta që kanë patur datëlindje false janë të gjithë të gjithë referuar në prokurori. Besoj se duhet të jenë rreth mbi 4500 dosje të cilat janë referuar në prokurori duke filluar nga viti 2007 e më tej.

Anila Hoxha: Ishin pensionistët e rremë?

Astrit Hado: Ka pasur edhe pensionistë , ata që ne kemi pasur quajtur pensionistë “fantazmë”, po themi ishte një emër kot “Astrit”.   

Anila Hoxha: Që nënkuptonte ?

Astrit Hado: Emra inekzistentë, në prokurori biles ka edhe të dënuar  për këto procese, ka të dënuar edhe personel.

Anila Hoxha: Mund të ketë shumë shkaqe, shumë arsye  dhe shumë të panjohura. Fakt është që pjesa më e madhe e tyre fitojnë në gjykatë, zoti Hado ?

Astrit Hado: Fitojnë sigurisht.

Anila Hoxha: Megjithë këmbnguljen e Institutit që ju drejtoni , që gjithmonë bën dhe depoziton edhe rekurse në Gjykatën e Lartë?

Astrit Hado:Për shkak të numrit të lartë të ankesave që ishin në Gjykatën e Lartë dhe për shkak edhe të një orientimi  që ishte nga qeveria dhe nga Ministria e Drejtësisë për rekurset në Gjykatën e Lartë, ne i kemi tërhequr disa rekurse të cilat në një farë mënyrë nuk ia vlen njëherë të cosh një qytetar për 2 vjet punë ne koorperativë që në fund të fundit kostoja në  pension për të është 4 mijë lekë të vjetra ose 10 mijë lekë të vjetra ose 20 mijë lekë të vjetra. Por ama kur ka reste kur vendimet e gjykatave të cilat hapin precedencë sigurisht që ne jemi të detyruar ti ndjekim dhe në Gjykatë të Lartë.

Anila Hoxha: Cfarë precedenti kanë hapur gjykatat së fundmi dhe sa është numri i rekurseve, prej të cilave Instituti i Sigurimeve Shoqërore është tërhequr në Gjykatën e Lartë?

Astrit Hado: Ne tashmë nuk kemi më aq shumë problem, themi periudhën e vjetërsisë në punë para 1994, sesa po na shfaqet fenomeni i ri i njohjes së periudhave të sigurimit  pas vitit 1994 . Ka goxha, ka disa mungesa të listëpagesave dhe të evidentimit të kontributeve të paguara nga 1994 dhe këtej. Sikurdër ka edhe punë të zezë,që dmth. që punëdhësi mund tiu kenë dhënë librezën e punës qytetarëve, por në fakt nuk i kanë deklaruar. Në një farë mënyrë ky është mashtrim sepse e kanë gënjyer qytetarin duke i thënë “që ti je i siguruar, urdhëro edhe librezën e punës , ke qenë i punësuar pranë subjektit tim”,  por në fakt nuk e kanë deklaruar në tatime apo në sigurime shoqërore ose mund ta kenë deklaruar por nuk e kanë deklaruar kontributet e sigurimeve shoqërore.Dhe kur vijnë qytetarët pastaj për të dalë në pension nga verifikimet që bëjnë sepse të gjithë listëpagesat nga 1994 e këtëj i kemi ne, konstaton që nuk e ka emrin në listëpagesë. Ose nuk ka fare listëpagesë.

Anila Hoxha: Sa është numri i përafërt i qytetarëve që konstatojnë një situatë të tillë?

Astrit Hado: Nuk ka një numër fiks sepse brenda një listëpagese  varet nga subjekti që është. Ne bëjmë verifikimet , është debitor apo nuk është debitor sepse ne kemi listën e debitorëve dmth. e kanë deklaruar që unë kam 10 punonjës dhe kosto dmth. detyrimi im është të paguajë X lekë dhe si ka paguar. Kështu që ne i kemi listën e debitorëve.

Anila Hoxha: Ka një faturë financiare të përafërt sesa është vlera e detyrimeve të këtyre subjekteve që nuk i kanë paguar ?

Astrit Hado: Sigurisht që ka një, që nga 1994 e këtej. Në fakt kjo nuk është detyrim i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pavarësisht se ne jemi të dëmtuar në këtë mes, kjo është detyrimi i organeve tatimore sepse kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore në Shqipëri prej vitit 2004 i mbledhin tatimet. Shumica e tyre janë në fakt privat se shtetërore janë shumë pak , duke përjashtuar disa ujësjellësa , janë në pamundësi likujdimi , disa ish-komuna , tashmë është zgjidhur ky problem sepse nuk lejohet të bëhet më pagesa e pagave  nga thesari pa u paguar sigurimet shoqërore , kështu nuk krijohen më debitorë të rinj në sektorin buxhetor, të themi. Janë kompani private  dhe të vetëpunësuar , personat fizikë. Por në rastet e personave fizikë nëse nuk e ka paguar kontributin e vet  në një farë mënyre i ka bërë dëm vetes së vet .

Anila Hoxha: Merr faturën  vetë përsipër?

Astrit Hado: Problemi është tek personat e punësuar. Nqs. është një subjekt që ka të punësuar , ky është problem.

Anila Hoxha: Çfarë duhet të bëjnë qytetarët? Ai ndërkohë ndjek të gjithë procedurën , kujton dhe mendon se …

Astrit Hado: Jo kur del në pension Anila. Qytetari duhet të interesohet gjatë gjithë kohës. Kur del në pension nuk ke çfarë bën më . Kur mbush moshën për pension je përpara faktit të kryer dhe do paraqitesh para sportelit të sigurimeve shoqërore. Atëherë nuk ke më shans dhe nuk ke hapësirë se çfarë do bësh më. Atëherë thjesht punonjësi i sigurimeve shoqërore me një laps në preh , të llogarit pensionin. Qytetarët nuk duhet të  bien edhe pre, por edhe nuk mund t’ju vij mirë kur punëdhënësi duhet të thotë ‘ej coje në bankë pagën 400.000 lekë se paga minimale dhe pjesën tjetër ta jap nën dorë”.  Se duket se sikur është mirë tani sikur i shmangesh disa taksa dhe disa kontributeve por është e hidhur më vonë pastaj kur del në pension.

Anila Hoxha: Po edhe koha fluturon zoti Hado, shumë shpejt.Me këtë panoramë që ju përshkruat dhe vecanarisht me fenomenin pas 1994 kuptoj që do kemi sërish një valë qytetarësh në gjykata që do përballen për të kërkuar të drejtën e tyre  për tu përfshirë në skemën e pensioneve ?

Astrit Hado: Nuk ka dhe nuk mundet dot  të detyrojë Institutin e Sigurimeve Shoqërore që ti paguajë pensionin një individi të cilin nuk ia janë paguar sigurimet shoqërore pas 1994 për 1000 arsye . Këtë rast gjyqet duhet të orientohen drejt punëdhësve që nuk i kanë paguar kontributet dhe jo drejt publikut ose drejt kontribuesve të cilit kanë qenë korrekt dhe kanë paguar lekët në kohë.

Anila Hoxha: Cili është vendimi më paradoksal me të cilin Instituti i Sigurimeve Shoqërore është ndeshur?

Astrit Hado: Kemi patur raste ne që i bindte nëna ta kishte lindur fëmijën kur ishte 4-5 vjec ose ka patur gjyqe psh. janë bërë korrigjime, tashmë nuk bëhen më. Janë bërë korrigjime të datëlindjeve psh nganjëherë gjysma e fshatit ka korrigjuar datëlindjen.

Anila Hoxha: Kur ka ndodhur kjo në cilin fshat ?

Astrit Hado: 10-30-40 gjyqe në një fshat ose një një rreth të caktuar.

Anila Hoxha: Ka ndonjë fenomen tjetër që lidhet edhe me procesin e vetingut ?

Astrit Hado: Po është edhe kjo një fenomen, personat të cilët janë larguar nga vetingu sa i përket asaj që ne e quajmë pagesën kalimtare, që është në skemën e sigurimit suplementar që ka raste psh. që të drejtat që ne  nuk ua njohim për shkak të ligjit dhe  jo  për shkak të dëshirës që i zgjidhin gjyqësisht , i drejtohen gjykatës dhe gjykata përgjithësisht ua njeh këtë të drejtë për pagim dhe i detyron Institutin e Sigurimeve Shoqërore ose më saktë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që ti paguajë këto pagesa kalimtare.

Anila Hoxha: Këta shtetas të cilët u larguan nga detyra me vendime të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të vetingut kthehemi në vitin 2018 – 2019,  kanë fituar një pagesë kalimtare edhe për tre vite pas këtij vendimi?

Astrit Hado: Po, në varësi të nivelit të sistemit , po themi të gjyqësorit që kanë qenë po. Kanë tre vjet.

Anila Hoxha: Zoti Hado,  përveç qytetarëve të thjeshtë që iu kanë humbur vitet në minierë, ish-koorperativa bujqësore, ndërmarrje shtetërore e kështu me radhë, a ka ndonjë personazh të njohur të politikës apo të rëndësishëm që i kanë humbur vitet e punës dhe që përballet njësoj me të tjerët në gjykatë?

Astrit Hado: Po them psh. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve , që i kanë të gjitha dokumentat në rregull psh.,  përgjithësisht nuk është se i kemi çuar në gjyq këta sepse ata kanë një dëshmi , një dokument.  Mitro Celën mqs. e kam edhe mik po themi. Nuk i dilte një periudhë pune atje sepse nuk ka dokumentacion dhe përvec se kishte librezën i thamë “shoku Mitro na sill ndonjë gazetë që ke shkruar “. Na solli nja 2 gazeta.

Anila Hoxha: I kishte ruajtur?

Astrit Hado: Po të mos i kishte ruajtur ai, i ka Biblioteka Kombëtare. Kjo tregon që Mitro është gazetar.

Anila Hoxha: I ka  humbur ndonjëri nga këta njerëzve që iu kanë përkitur pushtetit dhe në dekada të ndryshme i kanë humbur ?

Astrit Hado: Po,  përgjithësisht njerëzit që kanë qenë deputetë dhe ministra, nuk kanë shumë nevojë për pensionin e detyrueshëm sepse pensioni që marrin nga skema suplementare është goxha më i lartë. Kështu nuk është ndonjë… Dhe ka limite kështu që .

Anila Hoxha: Pse sa është pensioni i një deputeti?  

Astrit Hado: Pensioni i një deputeti varet nga vitet  që ka në shërbim , por një deputet me 2 mandate, me 8 vjet  është 50 % e pagës bruto të deputetëve, që i bie me pagat e reja i bie diku tek 1.500.000 lekë, në moshën 60 vjec ,pastaj kur shkon 65 vjeç merr edhe nga skema e detyrueshme plus këtë .

Anila Hoxha: Ju falenderoj shumë zoti Hado.  

#Problemet #pensioneve #Kreu #Institutit #të #Sigurimeve #Shoqërore #thirrje #qytetarëve #Mos #bini #pre #pagës #në #dorë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button