Aktualitet

Alfred Bualoti: Si u zëvendësuan intelektualët me klasën punëtore. Tregon edhe “sekretet” e “Pyllit të lirisë”

“Pylli i Lirisë”, një film i përjetësuar në memorien e të gjithëve, është “zbërthyer” në një episod tejet special të emisionit “Kur xhirohej një film” në RTSH. E sigurisht, kush më mirë se aktori që ka luajtur rolin kryesor, atë të Vlashit, mund të tregonte “sekretet” e këtij filmi.

Në studio, aktori i mirënjohur Alfred Bualoti ka solli plot detaje të pathënë nga realizimi i këtij filmi. Rrëfimin, aktori e nis me largimin e tij nga Tirana, ku punonte si regjisor në RTSH, në Gjirokastër, ku thotë se e “degdisën”.

Ka qenë viti 1976, që përkon me vitin e realizimit të filmit, kur filloi revolucioni. Unë isha në RTSH në 1975 si regjisor dhe filloi revolucioni kultural, zbriti klasa punëtore zuri poste të rëndësishme si shefa të redaksisë dhe drejtues dhe u shkurtuan disa vende pune, u larguan edhe shumë punonjës, ndër to ishin Ruzhdi Pulaha, Nasi Lera, Kiço Blushi dhe sigurisht që ne të rinjve na kishin shumë më për kollaj, na thanë që atje ka nevojë Partia apo atdheu dhe sigurisht që ne ishim ushtarë të bindur dhe shkuam në Gjirokastër, por fatmirësisht në teatrin e Gjirokastrës ishim se mund të shkoje dhe në ndonjë vend tjetër, pra ka qenë viti 1976”, tregon aktori.

E megjithatë, ndonëse në Gjirokastër, Bualoti merr propozimin për të zhvilluar një kinoprovë për rolin e Vlashit.

Ne po punonim dhe më bie një telefonatë që do të vish për kinoprovë në Kinostudio për një rol shumë të rëndësishëm. Sigurisht që u gëzova dhe erdha në Tiranë, vajta në Kinostudio. Ka qenë një dialog i shkurtër i filmit sepse ata më shumë kishin hall sesi dukeshe në film, a rrija si një fshatar i Myzeqesë, a kisha një lloj përshtatshmërie. Nuk kaloi një javë dhe më bie telefoni dhe më merr operatori i filmit dhe më thotë e keni fituar provën, do vish të bësh filmin”, e kujton aktori atë moment.

Një film i pazakontë ishte “Pylli i lirisë” për kohën, jo vetëm sepse ishte i pari film me ngjyra në ekran të gjerë, por edhe sepse një tjetër personazh shumë i rëndësishëm ishte një kalë. Bualoti tregon jo vetëm sfidat e kalërimit, por edhe një “sekret”, teksa thotë se jelet e kalit në fakt ishin paruke.

Kalin e gjetën në Përmet. Pas rënies së kasës ushtarake, pas vitit 1974, u dënuan jo vetëm oficerët, por edhe kafshët e shkreta. Dhe për t’i hequr e kishin çuar kalë karroce në Përmet kaprollin. Një racë arabe e shkëlqyer dhe ata i kishin prerë edhe jelet e kalit. E morën kalin, por çfarë do t’i bënin pa jele, i bënë paruke. U bë paruke për të qenë kali normal, për të qenë kalë prej tamam, kalë pylli, por vështirësi ishte që kur hipja unë kalëroja nuk kisha ku të mbahesha, sepse ikte paruka. Sigurisht që kam rënë disa herë, por kali ka një gjë, nuk të shkel të ruan”, rrëfen aktori i njohur.

Bualoti ka ndarë me publikun edhe detaje nga puna me regjisorin Gëzim Erbara, të cilin e konsideron një personalitet të madh, emrin e të cilit e ka gdhendur edhe në majën e kullës Eifel, kur ndodhej në Paris.

Kur për herë të parë shkova vizitova kullën Eifel dhe u ngjita deri lart fare, atje shikoj që kishin bërë shumë zhargavina nëpër atë parvazin, emra, por duhej një gjë e fortë për të shkruar. Mendoja që duhej të shkruaja diçka dhe mu kujtua regjisori Gëzim Erbara sepse ai na kishte mësuar Parisin, pa qenë në Paris. Gëzimi nuk kishte qenë vete në Paris, por dinte çdo gjë në Paris, çdo rrugë çdo kafene. Kisha çelësat e dhomës me vete dhe e gdhenda G.Erbara. Atje janë me qindra emra të shkruar, por edhe Gëzim Erbara është atje. Ka qenë një personalitet i madh, ka qenë shumë fisnik ai dhe kur të kritikonte thoshte ‘jo kështu o dashur’. Nga pikëpamja profesionale ishte unik. Për nga fisnikëria e tij, ishte unik. Ai dhe unë u puqëm në një farë derixheje sa edhe flinim bashkë në hotel. Ai kishte shumë besim te unë”, shprehet ai.

Por si ishte të punoje krah emrave të mëdhenj të artit shqiptar, si Ndrek Luca apo Margarita Xhepa? Bualoti e kujton Lucën si një njeri me natyrë krejt të veçantë dhe me dashuri shumë të madhe për punën si aktor dhe rolin.

Ndrek Luca ishte i veçantë si natyrë. Ndreka, për një moment nuk e dalloje rolin që bënte, se ishte në jetë dh enë film ashtu. Ai donte ta përjetonte në çdo moment rolin që bënte, ishte veçantë. Ishte natyrë krejt e veçantë. Masa e dashurisë që kishte ai për punën dhe rolin kalonte çdo gjë. Ai donte me domosdo që figura e tij të ishte e plotësuar në çdo detaj. E bënte rolin me shumë shumë pasion”, tregon aktori.

Ndërsa për Margarita Xhepën, Bualoti thotë se marrëdhënia mes tyre si nënë e birë në film, u bë shumë e natyrshme.

Ishte artiste e shquar, ishte në teatër, film kudo dhe ishte kënaqësi të punoje me të. Ajo jo vetëm vinte nga Lushnja si origjinë, por e njihte shumë mirë personazhin, një nënë fshatare me djalin dhe e ndjeva shumë mirë veten me Margaritën, u bë një marrëdhënie birë dhe nënë shumë e natyrshme”, kujton aktori.

/a.r

 

#Alfred #Bualoti #zëvendësuan #intelektualët #klasën #punëtore #Tregon #edhe #sekretet #Pyllit #të #lirisë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button