Aktualitet

37 pushtetarë të lartë nën ankthin e burgut, deputetë, ish-ministra, ambasadorë, prokurorë dhe kryebashkiakë fshehën pasuritë gjatë vitit të kaluar, ILDKP u zbulon milionat e pajustifikuara

Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) publikoi raportin e veprimtarisë së saj vjetore për 2022. Në bazë të të dhënave të këtij institucioni, zbulohet se 37 zyrtarë të lartë shteti nga të gjitha nivelet (deputetë, ish-ministra, ambasadorë, etj.) janë kallëzuar për veprat penale fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë pasurie. Këto kallëzime janë dërguar në Prokurorine e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokurorisë së Tiranës, Drejtorisë së Hetimit Tatimor, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa për shkeljet e kryera lidhur me deklarimin e pasurisë, ILDKPKI gjobiti përgjatë vitit të kaluar 128 subjekte. Kujtojmë që para dy ditësh, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK të intensifikojnë hetimet ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe elementëve të krimit të organizuar, duke theksuar se qeveria nuk ka mbetur e kënaqur nga puna e kryer nga këto dy institucione.
Veprimtaria e ILDKPKI në 2022, 128 gjoba, 21 u ankimuan
Gjatë vitit 2022, ILDKPKI ka kaluar në kontroll për ligjshmërinë e pasurive 806 zyrtarë publikë, ku në përfundim gjobiti 128 subjekte deklaruese për shkelje në deklarim. Nga këto 128 gjoba, janë ankimuar pranë organeve gjyqësore vetëm 21 vendime, prej të cilave, deri në momentin e raportimit, gjykata ka vendosur në mbështetje të vendimeve të marra nga ILDKPKI, për 6 vendime. Për 13 vendime masë administrative gjobë, që u përkasin viteve të mëparshme, kanë përfunduar gjykimin gjatë vitit 2022, duke u vendosur lënia në fuqi e masës administrative të dhënë nga ILDKPKI. Ndërkohë janë të paktën 33 vendime që kanë kaluar si titull ekzekutiv dhe që në veprim ka hyrë përmbarimi. Të paktën 11 vendime i takojnë vitit 2022 ndërkohë që në 38 raste gjobat janë shlyer në mënyrë vullnetare.
Deklarimet e marra të 3975 subjekteve
Sipas përcaktimeve ligjore, zyrtarët kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë në një sistem elektronik. Nga të dhënat rezulton se numri i deklaratave të administruara nga Inspektorati i Lartë për vitin 2022 është 3975 deklarata të interesave private, nga të cilat, të ndara sipas llojeve të tyre, rezultojnë këto të dhëna statistikore: Deklarata Periodike Vjetore për Subjekte në Funksion (për vitin deklarues 2021)-2785 deklarata; Deklarata Para Fillimit të Detyrës (2022)-544 deklarata; Deklarata Pas Largimit nga Funksioni (2022)-438 deklarata; Deklarata Kandidatë (2022)-208 deklarata.
Në 8 vjet janë verifikuar 555 kryebashkiakë, gjyqtarë, prokurorë dhe drejtorë
Në raportin vjetor të këtij institucioni nënvizohet se gjatë periudhës 2014-2022, janë referuar në këto institucione 555 subjekte, në të cilat janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë të përgjithshëm, etj

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button