Shqipëria dhe Kosova me bursë të përbashkët energjie
Shqipëria dhe Kosova janë bashkuar, të paktën në një drejtim… atë të energjisë.
Të dy vendet shqipfolëse kanë tashmë një bursë të përbashkët për energjinë elektrike, atë ALPEX për konkurrencë më të drejtë dhe çmime të besueshme.
“Bursa në vetvete është një bursë që është krijuar për të vepruar në të dyja zonat e ofertimit. Quhet një bursë e krijuar nga të dy shtetet, nëpërmjet Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit që janë aksionarët . Nga 1 shkurti, tregjet e energjisë elektrike të ditës në avancë mes Shqipërisë dhe Kosovës janë bashkuar në një të vet vetëm,” shprehet Sokol Dishnica, administrator i ALPEX.
Po çfarë do të thotë për qytetarët dhe bizneset në dy vendet bashkimi i tregjeve të energjisë nën një bursë?
“Shikojmë që çmimet e energjisë elektrike në Shqipëri e Kosovë janë të barabarta. Kjo është vënë re që nga 1 shkurti. Gjithashtu, e dyta, ky bashkim tregjesh sjell përmirësim të kapaciteteve të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.”
Administratori i Bursës Shqiptare të Energjisë, Sokol Dishnica tregon edhe planet e ALPEX në vijim.
“Në qershor planifikojmë të implementojmë tregun brenda së njëjtës ditë, si bashkim tregjesh. Është projekti i parë brenda komunitetit të energjisë. Krijon një segment të ri për të gjithë pjesëmarrësit në Shqipëri e Kosovë.”
Pas disa shtyrjeve, ALPEX nisi aktivitetin në prill 2023. Aktualisht pjesë e bursës janë të gjitha entet publike, bashkë me gjysmë ne kompanive private të prodhimit të energjisë.
#Shqipëria #dhe #Kosova #bursë #të #përbashkët #energjie
Java News