Aktualitet

Zhdukja e mistershme e “Koçoles” dhe Sulovarit/ Policia sekuestron 3 makina, RENEA e FNSH kërkime nga ajri dhe toka

Hetimet për zhdukjen e mistershme të 46-vjeçarëve, Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari gjatë 48 orëve e fundit kanë nxjerrë në dritë disa detaje të reja. Mësohet se policia ka sekuestruar disa automjete të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë rrëmbimit të dy 46-vjeçarëve nga Saranda.

Sipas informacioneve, polica e Sarandës fillimisht ka sekuestruar një automjet i blinduar tip “Jeep Cherokee” me targa greke BOO – 9195. Fuoristrada e zezë dhe me xhama të zinj është zbuluar në një plantacion manderinash në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol.

Ndërkaq detaje të reja janë mësuar edhe për mjetin e dytë të sekuestruar nga policia në një karburant në Qafë Gjashtë. Fuoristrada “Land Rover” Discovery me targa greke e marrë nga operacionalja me karroatrec, sipas burimeve konfidenciale, lëvizte në qytetin e Sarandës dhe përveç xhamave të zinj, kishte të instaluara brenda saj fenelina si të policisë, edhe pse këto nuk u gjetën në momentin e sekuestrimit.

Sa i përket mjetit “Mercedes-Benz” që ka kryer rrëmbimin, ai rezulton mjeti që ka transportuar autorët e vendosjes së eksplozivit në 5 dhjetor 2022 në banesën e shtetasit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla në Sarandë. Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në një garazh pa dryn të marrë me qira nga shtetas me banim në Sarandë.

Gjithashtu mësohet se Forcat e policisë së Sarandës në bashkëpunim me Forcat operacionale të Vlorës kanë shoqëruar disa persona me banim në Sarandë, kryesisht me precedentë penalë. Ata janë dërguar në Vlorë ku janë marrë në pyetje dhe nuk dihet ende nëse janë liruar apo mbajtur në arrest.

Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan, por në gjendje normale. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet kanë ecur me ritme të shpejta orët e fundit por ende nuk jemi afër nxjerrjes së urdhër arresteve. Kërkimet e sotme të RENEA dhe FNSH janë zhvilluar si nga deti ashtu edhe nga toka, por sërish kanë rezultuar pa sukses duke bërë që të hyjmë në ditën e 20 të zhdukjes pa gjurmë të “Koçoles” e Sulovarit.
Kujtojmë se kanë qenë familjarët ata që kanë denoncuar se kanë humbur kontaktet me Leonard Thodhorin, 46 vjeç, banues në fshatin Çuk dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarandë.

Policia ka nisur prej më shumë se dy javësh hetimet për gjetjen e tyre, ndërkohë që dy të zhdukurit rezulton se janë dy emra me të shkuar kriminale.

Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”, është dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar me pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lendeve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Ndërsa Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç është dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ai është arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje. /Pamfleti

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button