Aktualitet

Ndarja pas 8 janarit – Si u rrotullua me 360 gradë Bardhi e grupi i tij?

Nga Ylli Pata

Nuk thonë kot se një foto vlen sa njëmijë fjalë. Po të shikosh arkivën e Malton Dibrës, fotoreporterit politik më aktiv në Shqipëri, ka një foto epike pak orë pas 8 janarit 2022. Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi tregojnë për mediat shkatërrimet e kryera në selinë e PD-së pas dështimit të sulmit të Sali Berishës.

Ndërkaq, këtë të hënë, Malton Dibra ka një tjetër foto të Gaz Bardhit që shikon fotot e Sali Berishën në selinë e ripushtuar nga Berisha dhe foltorja pas largimit të Lulzim Bashës në marsin e 2022. Kush e mban mend në atë kohë, Gazmend Bardhi ishte ndër më të egrit në sulmin ndaj Sali Berishës, djalit të Shkëlzenit, që i përmendte Gërdecin, por edhe Flamur Nokës që e akuzoi për vilën në Gjirin e Lalzit, që sipas Bardhit e ka nxjerrë në shitje.

Përveç Gazmend Bardhit, radikalë ndaj Sali Berishës ishin edhe Grida Duma, Ervin Saljanji, por edhe vetë Agron Gjekmarkaj. Po pse të gjithë sot u rrotulluan me 360 gradë, duke u kthyer si djem plangprishës në foltoren halleshumë të doktorit?

E gjitha kjo është shumë e thjeshtë, por politike në kuptimin e plotë të fjalës. Më 6 mars, kur koalicioni i Sali Berishës dhe Ilir Metës doli mbi PD-në në 6 bashki, ku fitoi në Shkodër, në Partinë Demokratike u krijuan dy grupe të forta.

Kryetarët e degëve, apo Kolegji i Kryetarëve, që kërkuan me forcë që Lulzim Bashë të mos largohet port ë vijojë të mbajë partinë, si dhe grupi i deputetëve që kërkuan me forcë, madje me një egërsi mediatike që Basha të largohet menjëherë.

Pikërisht kjo panoramë është çelësi i gjithçkaje. Grypi i deputetëve nuk e morën fare për bazë qëndrimin e bazës së PD-së, madje me një agresivitet mediatik nxituan të shpejtojnë eventet.

Lulzim Basha, duhet thënë me një djallëzi politike kreu një largim që e quajti “hap pas”, duke lënë një regjencë të blinduar me Enkelejd Alibeajn dhe natyrisht një lidhje të fortë me krerët e degëve.

Gazmend Bardhi, i cili ishte ndër kryesorët e grupit të largimit urgjent të Bashës, nuk arritën ta marrin partinë, pasi kryetari i larguar vetëm de jure ja kishte prerë mundësitë për të bërë një puç politik.

Dy grupet që përgatitën puçin e 6 marsit, ai i Grida Dumës dhe i Gaz Bardhit, realisht dështuan të marrin partinë. Kjo solli dhe ndërprerjen e çdo raporti të tyre me bazën e Partisë Demokratike. Realisht, asnjëri prej atyre që kërkuan largimin e Bashës nuk kishin asnjë mundësi për tu propozuar deputetë prej degëve përkatëse ku ishin zgjedhur. Kjo pasi ju kundërvunë qëndrimit të bazës.

Pas kësaj, Grida Duma la politikën dhe u rikthye në media, Agron Gjekmarkaj ju rikthye analizës, duke u dorëhequr nga kreu politik i qarkut të Lezhës, që e bëri pak kohë pas Mark Markut, i cili la fare mandatin.

Ndërkaq të tjerët, që nga Gaz Bardhi, nisën të lidhin pipzat me foltoren. Por Berisha, si mjeshtër makiavelist krijoi një distancë sanitare, duke mos i lënë që të marrin poste ekzekutive. i kërkoi që të kalonin një provë në zgjedhjet e 1 majit, të cilat, Bardhi dhe deputetët e kaluan me devotshmëri, duke penguar padrejtësisht garimin e Partisë Demokratike në 61 bashkitë e vendit.

Pas kësaj, ky grup jo vetëm që e kishin humbur besimin e PD-së në bazë, por u kthye në armikun politik të të gjithë demokratëve. Gjithçka që ka ndodhur pas 1 janarit është thjeshtë një retorikë pa lidhje e ngjashme me debatet e darkës. Atë herë u vendos gjithçka, megjithëse nuancat e kësaj kronike politike nuk janë mbyllur.

Sali Berisha i ka afruar me një protokoll cinik grupin e Bardhit, e siç e pamë e detyroi të kryejnë aksione kamikaze në Kuvend, e më pas të dalë edhe poshtë dritares, gjasat janë që të kërkojë një tjetër protokoll aktesh guerile që t’i japë të drejtën për të garuar në vitin 2025. Megjithatë asgjë nuk ka mbaruar, ka ende mjaft prova që duhet të kalojnë përpara afrimit të zgjedhjeve.

#Ndarja #pas #janarit #rrotullua #gradë #Bardhi #grupi #tij
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button