Aktualitet

Gjermania: Hetimi për Banjskën është i një rëndësie vendimtare

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha në Beograd më 7 shkurt se hetimi për ngjarjet në Banjskë, është i një rëndësie vendimtare.

Në Banjskë më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.

Kosova fajëson Serbinë se qëndron prapa kësaj ngjarjeje, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë tha po ashtu se është e rëndësishme që Serbia të reduktojë praninë ushtarake në kufi me Kosovën.

Po ashtu, ai bëri thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto deklarata ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, më 7 shkurt.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë, Pistorius tha se zbatimi i vendit “duhet të jetë i organizuar dhe nuk duhet që askush të lëndohet”, duke kërkuar një “periudhë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Nuk është në interesin e askujt që raportet të tensionohen edhe më tej”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

/a.d

#Gjermania #Hetimi #për #Banjskën #është #një #rëndësie #vendimtare
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button