Aktualitet

Japoni: Zjarret goditën zonën e tërmetit teksa shpëtimtarët “garojnë” për të gjetur të mbijetuarit

Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë në Japoni pasi të paktën 62 persona humbën jetën në një tërmet të fuqishëm që goditi vendin në ditën e Vitit të Ri.

Shtëpitë u shembën, ndërtesat morën flakë dhe rrugët u dëmtuan shumë, duke penguar punën e shërbimeve të shpëtimit.

Epiqendra e tërmetit 7.6 ballë ishte gadishulli Noto, në Japoninë qendrore.

Kryeministri, Fumio Kishida, tha se shërbimet e urgjencës janë fokusuar në një “garë me kohën” për të shpëtuar të mbijetuarit.

Ai tha gjithashtu se rreth 3,000 shpëtimtarë po përpiqeshin të arrinin në pjesë të gadishullit Noto. Sondazhet me helikopterë treguan shumë zjarre dhe dëmtime të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Qyteti Wajima, në skajin verior të Noto, është shkëputur nga rrugët tokësore.

Në qytetin bregdetar Suzu në prefekturën Ishikawa, rreth 90% e shtëpive në qytet ishin “shkatërruar plotësisht ose pothuajse plotësisht”, tha kryebashkiaku Masushiro Izumiya për gazetën Kyodo, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Ushtria japoneze ka shpërndarë furnizime, përfshirë ushqime, ujë dhe batanije për ata që u është dashur të lirojnë shtëpitë e tyre. Qeveria e vendit ka thënë se 57 mijë e 360 njerëz duhej të evakuoheshin.

Dhjetëra mijëra vakte po shpërndahen në të gjithë rajonin e prekur.

Pasgoditjet vazhduan edhe të martën. Sekretari kryesor i kabinetit, Yoshimasa Hayashi, paralajmëroi njerëzit që të “jenë vigjilent” për tërmete të tjera “me një intensitet deri në 7” në javën e ardhshme.

Ishikawa, 155 km (96.3 milje) në jug të gadishullit Noto, përjetoi një tërmet 4.9 të martën pasdite.

Paralajmërimet e mëdha për cunami të dhëna nga qeveria japoneze të hënën u ulën më vonë. Deri të martën, të gjitha këshillat për cunami u hoqën përgjatë Detit të Japonisë, që do të thotë se nuk kishte më rrezik për një ngjarje të tillë.

Banorët e zonës së prekur të Japonisë kanë ndarë përvojat e tyre nga tërmeti i cili zgjati disa minuta.

Një banor 82-vjeçar i Nanaos, Toshio Iwahama, tha për BBC se shtëpia e tij prej druri ishte shembur pjesërisht. Ai shtoi se pavarësisht se ka jetuar nëpër tërmete të shumta, kurrë nuk kishte përjetuar lëkundje të kësaj magnitude.

Britanikja Emma Ward, 41 vjeçare, e cila ishte në një pushim skijimi në fshatin turistik Hakuba, tha se tërmeti kishte goditur “pa paralajmërim”, duke bërë që grupi i saj të strehohej nën një tavolinë në një kafene.

“Pjesa më e keqe gjatë tërmetit ishte të mos dije se sa intensiv do të bëhej tërmeti. Është një përvojë shumë e frikshme”, tha Ward.



#Japoni #Zjarret #goditën #zonën #tërmetit #teksa #shpëtimtarët #garojnë #për #të #gjetur #të #mbijetuarit
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button